Lajme

Ibrahimi: Problemi i veriut s’është krimi, por është problem politik

07/19/2022 21:36
nga:G B

Analisti politik, Ilir Ibrahimi, ka thënë se problemi i pjesës veriore të vendit nuk është problem i mungesës së rendit e ligjit, por është problem politik.

Ai tha se strukturat e Beogradit gjithmonë kanë përdorur provokime të tilla për të arritur qëllime politike, sepse sipas tij, po të ishte njëjtë do të kishte kontrabandë edhe nga Shqipëria, Mali i Zi e Maqedonia e Veriut.

“Problemi i veriut nuk është problem i rendit dhe ligjit dhe luftimit të kriminaliteti. Nëse ky është konstatimi i qeverisë dhe kjo është strategjia që duhet ta përdorë për ta kthyer veriun nën qeverisjen e Prishtinës është qasje e gabuar”, është shprehur Ibrahimi në Rubikon në Klan Kosova.

Tutje ai tha se situatën në veri, Kosova nuk mund ta stabilizojë me qasjen e luftimit të krimit dhe të kontrabandës, por duhet një qasje politike, që sipas tij, nuk është parë deri më tani.

“Qeveritë e kaluara janë munduar ta bëjnë këtë përmes dialogut, nuk është se ka pasur ndonjë sukses të madh, por vazhdon që veriu të jetë një problem politik i cili është edhe në qendër të dialogut”.

“Pra, për ta zgjidhur një problem duhet ta njohësh atë dhe t’i qasësh atij. E, nëse kjo qeveri po mendon se është problem i luftimit të kontrabandës, atëherë nuk është duke e njohur problemin”, është shprehur Ibrahimi.