Në emisionin e sotëm të Rubikonit u trajtua tema e zgjerimit të akuzave ndaj ish-krerëve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, të cilët po mbahen në paraburgim në Hagë.
Opinionisti Ilir Ibrahimi tha se me këto veprime Gjykata e Hagës po e diskrediton veten.
Ibrahimi tha se nuk mund të arrish drejtësi duke i shkelur të drejtat e njeriut.
“Me këto veprime gjykata po duket disi me apo pa qëllim është duke e diskredituar vetveten, sepse unë po pajtohem që ata iu përgjigjen atyre që i financojnë. Mirëpo, edhe ata që i financojnë, janë shtete që janë të etabluara dhe që kanë kushtetuta dhe infrastruktura që duhet t’i mbrojnë të drejtat e njeriut pikë së pari. Nuk mund të arrish drejtësi duke i shkelur të drejtat e njeriut”.
Ai theksoi se prokuroria mund të përdorë taktika që e vonojnë një gjykim.
“Padyshim që prokuroria mund të përdorë taktika të cilat e vonojnë një gjykim, mirëpo me këtë vonesë ka një shkelje kushtetuese të të drejtave të akuzuarve, sepse edhe kushtetuta jonë e parasheh të drejtën e të akuzuarve për një gjykim të shpejtë”.
“Nëse janë duke u ndërmarrë këto veprime në kundërshtim me konventat ndërkombëtare, pra të cilat e shkelin themelet e të drejtave të njeriut. Siç e kemi parë, nuk duhet të jesh jurist i klasit të lartë për të parë se nuk ka shumë profesionalizëm në gjykatë. Kjo sepse kemi parë përgjigje të gjykatës, përgjigje të avokatëve argumentet e tyre. Shumë rrallë ndodh që gjithmonë të ketë të drejtë prokuroria dhe asnjëherë mbrojtja”.


