Lajme

Ibrahimi: Ministria të krijojë mekanizma që e lehtësojnë vaksinimin e qytetarëve

08/19/2021 17:00
nga:M K

Asociacioni i Komunave të Kosovës po kërkon nga Ministria e Shëndetësisë të krijojë mekanizma qe lehtësojnë vaksinimin e qytetarëve.

Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, ka deklaruar se qendrat e vaksinimit duhet të punojnë edhe ditën e dielë.

Ai tha se duhet të hapen qendra të reja të vaksinimit, e po ashtu të ketë ekipe imobile për vaksinim në zona të ndryshme.

“Ministria e Shëndetësisë̈ duhet të krijojë me urgjencë mekanizma që do të lehtësonin vaksinimin e qytetarëve! Ditëve të fundit është rritur shumë numri i të të infektuarve dhe kemi situatë emergjente dhe në anën tjetër interesimi i qytetarëve për vaksinim është rritur dukshëm. Ministria duhet të ofrojë mekanizma që do ta lehtësonin këtë proces, si: mundësinë që të punohet edhe në fundjavë, përfshirë ditën e diele, hapjen e qendrave të reja për vaksinim, krijimin e ekipeve mobile për vaksinim në zona të ndryshme etj”, ka deklaruar Ibrahimi.

Ibrahimi tha se komunat janë të gatshme të krijojnë lehtësira për vaksinim.

“Komunat janë të gatshme që me të gjitha kapacitetet të krijojnë lehtësira në këtë drejtim, për aq sa Ministria ndryshon strategji dhe merr vendim për këtë gjë. Si sigurimin e hapësirave të reja për vaksinim dhe të tjera lehtësira”, ka deklaruar Ibrahimi.

Ndryshe, Ministria e Shëndetëisë ka marrë vendim që edhe ditën e shtunë të ketë vaksinim të qytetarëve.