Lajme

Ibrahimi: Mesazhet e administratës amerikane vënë në pah se Kosova i merr vendimet vetë

06/29/2022 22:53
nga:Astrit Gashi

Analisti politik, Ilir Ibrahimi, ka thënë se mesazhet e administratës amerikane vënë në pah se Kosova i merr vendimet vetë.

“Duke filluar nga viti 2012-2013 2014 ka pasur një vendim të administratës amerikane që Kosovës t’i jepet një autoritet më i madh në vendimmarrjen e vet dhe këtë e ka bërë të qartë në atë kohë ambasadori Dell. Ku ka thënë se Kosovën s’duhet ta mbajmë më për dore por duhet të mësohet të ecë vetë, pra edhe mesazhet që i shohim nga administrata amerikane që nga ajo kohë dhe më pas, vënë në pah që Kosova është shtet sovran dhe vendimet i merr vetë, pra nuk i marrim më mesazhet qysh i kemi marrë në të kaluarën si në formë urdhërore, por si lloj sugjerimesh”, ka thënë Ibrahimi në Klan Kosova.

Ibrahimi shtoi se ShBA e ka përkrahur që nga fillimi, iniciativën Open Ballkan, por që sipas tij, ia kanë lënë në dorë Kosovës, se a do të futet ose jo në këtë nismë.

“Administrata amerikane e ka përkrahur prej fillimi iniciativën e Open Ballkan, por nuk e kanë marrë bajrakun që të thonë: Është nismë e jona, sepse kanë dashur t’ia lënë autonominë dhe vendimmarrjen autoriteteve kosovare se a do të futen në një nismë të tillë ose jo”, tha ai.

Ai tha se qasja e administratës amerikane në relacion me Kosovën, është qasje si në mes dy vendesh të pavarura.

“Qasja e administratës amerikane në relacion me Kosovën është si dy vende të pavarura dhe kjo është e mirëkuptuar dhe nuk duhet theksuar gjithmonë, pasi ajo është ftuar si shtet. Dhe në asnjë moment nuk është kuptuar që po ftohet si provincë”, ka shtuar ai.