Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi ka thënë se gjatë ditës së djeshme Komisioni për buxhet, punë dhe transfere ka shqyrtuar kërkesën e Asociacioni të Komunave të Kosovës që në buxhetin e vitit 2025 të parashihet një vijë buxhetore për mbulimin e shpenzimeve që burojnë nga kontratat kolektive.
Në një përgjigje për tëvë1.info, Ibrahimi ka thënë se ky komision ka votuar kundër kërkesës së AKK-së, që niveli qendror të marrë përgjegjësinë për të mbuluar shpenzimet financiare që burojnë nga kontratat kolektive.
“Deri më tani komunave iu janë marrë padrejtësisht mbi 125 milion euro. Po shihet qartë që niveli qendror nuk ka vullnet ta zgjidh këtë çështje që është brengë e madhe për komunat. Edhe në vitin e ardhshëm komunat do të kenë shkurtime të projekteve në investime kapitale, mallra dhe shërbime, subvencione si pasojë e zbatimit të kontratave kolektive. Gjithashtu, gjatë këtij muaji dhe muajit të ardhshëm, komunat do të gjinden para një situate të pavolitshme për paga ndaj zyrtarëve komunal”, ka thënë Ibrahimi