Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, i është kundërpërgjigjur ministrit Elbert Krasniqi, i cili kërkoi nga ai që të tregonte se kur komunat kanë qenë të kënaqura me ndarjen buxhetore, gjatë qeverisjes së LDK-së.
Ibrahimi në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se ministri Krasniqi e ka të vështirë ta dijë se çfarë pozite po ushtron dhe pyetja e tij tregon konfuzion.
“Ministri Krasniqi si duket e ka vështirë ta dijë se a është duke ushtruar pozitë shtetërore apo politike. Buxheti është instrument qeveritar (shtetëror) e jo i partive politike, prandaj pyetja që e shtron ai flet për konfuzionin e tij në pozitën ku është”, shprehet ai.
Kryetari i AKK-së thekson deklaratën e tij për grantin dhe ndarjen e tij.
“Unë kam deklaruar që nuk ka ndonjë ngritje enorme në % ndaj komunave. Granti i përgjithshëm i ka formulat e ndarjes dhe askush nuk mund të ndajë as më pak e as më shumë se sa e përcakton formula e paraparë me legjislacionin në fuqi. Pra, kjo nuk është në vullnetin e Ministrisë por janë formulat. Ndërkaq, është shumë e qartë se ashtu siç rritet Bruto Produkti i Brendshëm, rritet edhe buxheti dhe pjesa e buxhetit që u takon komunave. Komunat dhe deputetët janë ata që vlerësojnë se a është kjo ndarje e drejtë apo jo”, potencon Ibrahimi për Gazeta Blic.
Ai shton se ministri duhet të vetëdijesohet se mjetet janë publikë e s’janë pronë e ministrave e as qeverisë por përgjegjësi e tyre, derisa i ka dhënë dhe një këshillë.
“Ministri duhet të vetëdijesohet se këto mjete janë publike, nuk janë pronë e ministrave e as e qeverisë, po janë në përgjegjësinë e tyre. Ministër, ndoshta keni pasur mundësi ta lexoni dhe ta kuptoni raportin e progresit që ka të bëjë me nivelin lokal. Shpresoj të punoni në përmirësimin e këtij raporti”, deklaron Sazan Ibrahimi./Gazeta Blic/


