Lajme

IBAS fiton çmimin kryesor “Inovacioni i vitit” nga “ICT Awards”, si organizim mbarëshqiptarë

06/13/2021 12:47
nga:Gazeta Blic

Në edicionin e 9-të të garës më të madhe shqiptare në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit “ICT Awards”, IBAS fitoi çmimin kryesor atë të “Inovacionit të vitit”.

Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve u theksua se platforma IBAS ofron të gjitha shërbimet në një vend dhe me një fleksibilitet, si dhe ka kostot më të ulëta për klientë dhe për biznese.

“IBAS themeluar në vitin 2018 nga një grup entuziastësh, ideja e të cilëve ka qenë digjitalizimi i sistemit financiar në Kosovë është institucion financiar i licencuar për emetimin e parasë elektronike, realizimin e pagesave, transferimit të parasë dhe kredi dhënies për pagesa. Në edicionin e 9-të të ICT Awards fitoi çmimin Inovacioni i Vitit”, u tha në këtë ceremoni.

Në emër të të gjithë atyre që punuan për shndërrimin e IBAS nga një ide në platformë, Yll Qarkaxhiu falënderoi jurinë për vlerësimin.

“Me IBAS jemi munduar që të krijojmë diçka që është realizuar në vendet më të zhvilluar në botë, në mënyrë që edhe trojet shqiptare të kenë një platformë të tillë”, tha ai.

Ndërkaq, themeluesi i këtij institucioni financiar dhe arkitekti i zgjidhjes IBAS, Gazmend Selmani, potencoi se ky IBAS është rezultat i punës shumëvjeçare të të gjithë personelit të IBAS dhe PBC.

“Ky çmim është një rikonfirmim i revolucionit IBAS, i cili, tashmë është nisur për në tregun evropian. Aty ku, edhe ne, denjësisht do t’i shpërfaqim vlerat e vërteta shqiptare”, tha Selmani.

IBAS, si i pari i këtij lloji në hapësirat shqiptare mundëson që pagesat, transferet, kredi dhëniet e produktet tjera të kryhen online.

Tash e 9-të vite “Albanian ICT Awards” ka për qëllim shpërfaqjen e arritjeve më të mëdha të shqiptarëve në fushën e TIK-ut dhe promovimin e individëve dhe bizneseve të kësaj industrie.