Lajme

Ia mori viktimës 10 mijë euro për punësim në KEK apo PTK, paraburgim për të dyshuarin

09/15/2021 17:14
nga:A. R.

Gjykata Themelore në Ferizaj, ia ka caktuar një muaj paraburgim të pandehurit Xh.P. shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “mashtrimi”.

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Divizionit Penal, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri nga data 13.11.2020 deri më 12.02.2021 në vende të ndryshme duke vepruar në vazhdimësi dhe në bashkëveprim me të dyshuarin D.R. i cili gjendet në arrati, përmes paraqitjes së rreme të fakteve dhe me veprime mashtruese duke u paraqitur si persona me ndikim dhe si truproje të ministrit si dhe si menaxher të KEK, i premtojnë të dëmtuarit L.G. se do ta punësojnë atë dhe djalin e tij në KEK apo në PTK dhe në këtë mënyrë e vënë në lajthim të dëmtuarin duke e nxitur që të veprojë në dëm të pasurisë së tij, në atë mënyrë që i njëjti ua paguan shumën e tërësishme prej 10,000 euro në emër të punësimit në KEK.

“Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij”, thuhet në njoftimin e gjykatës.