Lajme

I vetmi deputet që nuk votoi për miratimin e Rezolutës kundër referendumit- Flet ekskluzivisht për Gazeta Blic Driton Selmanaj

01/15/2022 19:05
nga:G C

Nga 77 deputetë të pranishëm në Kuvend, 76 vota kanë qenë për miratimin e rezolutës për moslejimin e referendumit të Serbisë në Kosovë, derisa vetëm një deputet ka anstenuar, shkruan GazetaBlic.

Ka qenë deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj ai i cili abstenoi në votimin e kësaj rezolute.

I kontaktuar nga GazetaBlic, Selmanaj tregoi arsyen e abstenimit të tij, në votimin e Rezolutës për referendumin serb.

“Gjithë ajo seancë ishte spektakël nga kryeministri Kurti”, thotë Selmanaj.

Ai tha se “Kurti ka mundur të marrë  vendime vet si qeveri në bazë të mandatit kushtetues pa fut në valle edhe Kuvendin, kjo më është dukur si një seancë e pakuptimtë dhe e panevojshme”, u shpreh Selmanaj.

Selmanaj u shpreh se Kurti ka mandat të plotë kushtetues që të ndaloj procesin e referendumit të Serbisë dhe kjo seancë sipas tij, ishte jashtë çdo logjike.

“Rezoluta ka edhe pika ku kryeministri kërkonte nga Kuvendi t’i tregonte atij që të kryej punë dhe kjo ishte jashtë çdo logjike, prandaj nuk kisha si të votoja ndryshe përpos të abstenoja sepse unë në aspektin e çështjes në të cilën po diskutohet, mendoj që kryeministri ka mandat të plotë kushtetues që të ndaloj procesin e referendumit të shtetit të Serbisë në Kosovë”.

Në anën tjetër, Selmanaj e cilësoi Kurtin si të “paaftë” për të marrë vendime dhe e futi edhe Kuvendin në këto lojëra.

“Unë mendoj se nuk duhet të organizohet në Veriun e Kosovës referendumi për ndryshimet kushtetuese të Serbisë dhe si i tillë në pazotësinë e tij për të marrë vendime, Kurti e fut Kuvendin në këto lojë”, tha ai.

Pakënaqësi të mëdha Selmanaj kishte edhe për qasjen e kryeministrit Kurti me miqtë e Kosovës.

“Unë e shpreh pakënaqësinë time edhe në qasjen e tij me miqtë e Kosovës, me shtetet tona aleate. Komunikimi i qeverisë Kurti me miqtë tanë nuk është në nivelin e duhur edhe nëse në një situatë të caktuar kemi të drejtë dhe duhet të konsfultohemi me miqtë tanë, t’i bindim që jemi në rrugë të drejtë dhe më pas të ecim tutje por qasja me të cilën kjo qeveri ka vendosur komunikimin edhe me aleatët tanë përtej çdo shqetësimi. Në këtë kontekst nuk kishte zgjedhje tjetër përveç abestenimit dhe ta injoroj si seancë”, përfundoi Selmanaj.