Edhe dy muaj do të mbetet nën masën e paraburgimit zyrtari i burgut Xh.B, nën dyshimin se ka kryer në vazhdimësi veprën penale të marrjes së ryshfetit prej 2 mijë euro, për kryerjen e një favori brenda burgut.
Vendimi u mor nga gjykatësi i procedurës paraprake, Sami Sharraxhiu, ku thuhet se masa e paraburgimit vazhdohet nga 19 shtatori deri më 18 nëntor 2021.
Sipas vendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se Prokuroria themelore në Pejë ka kërkuar që ndaj të pandehurit të vazhdohet masa e paraburgimit, me arsyetimin se ende nuk ka përfunduar procedura e hetimeve, e se ndaj të njëjtit ende ekzistojnë arsyet ligjore në bazë të cilave është caktuar kjo masë.
“Vazhdimin e paraburgimit gjykata e arsyeton me faktin se duke pasur parasysh karakteristikat personale dhe ambientin ku i pandehuri jeton e punon, faktin që djalin e ka në shtetin gjerman, si dhe dënimit që i kanoset prej 12 vitesh burgim po qe se gjykata të njëjtin e gjen fajtor janë rrethana të posaçme që tregojnë se ekziston rrezik i madh për arratisje, apo shmangie në çfarëdo mënyre të organeve të ndjekjes dhe në këtë mënyrë do të vështirësoj apo pamundësoj zbatimin e hetimeve me sukses në këtë çështje panel”, thuhet në vendimin e gjykatës.
Aty thuhet se ekziston edhe rreziku që me gjetjen e të dyshuarit në liri apo çfarëdo masë tjetër, të komunikojë me persona tjerë, të ndikojë në dëshmitarë e të zhduk provat apo shkatërrojë ato. Gjithashtu, thuhet se ekziston rreziku që ai të përsërisë apo kryej edhe ndonjë vepër tjetër penale.
Ndryshe, me kërkesë të Prokurorisë Themelore në Pejë, të dyshuarit Xh.B, i ishte caktuar masa e paraburgimit më 20 gusht të këtij viti.
/BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.