Lajme

I theri me thikë dy veta, ngritët aktakuzë ndaj të pandehurit për ‘Vrasje të rëndë në tentativë’

10/17/2023 18:05
nga:Genita C

Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit G.I. për veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë”, pasi i dyshuari i kishte therë me thikë dy persona në një lokal në Istog verën e këtij viti.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, me këto veprime, i pandehuri e ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë” dhe ndaj tij prokurori i rastit ka kërkuar dënimin sipas ligjeve në fuqi.

“Sipas aktakuzës, i pandehuri G.I, me datë 10 gusht të vitit 2023, rreth orës 21:45, në sheshin “Ibrahim Rugova” të Istogut, tenton t’i kryer dy vrasje duke tentuar t’i privoj nga jeta dy të dëmtuarit, E.G dhe Z.Gj, derisa i pandehuri G.I, hyn në një lokal dhe sapo vëren të dëmtuarin E.G, pa folur fare me viktimën, me thikë e godet në regjionin e barkut duke i shkaktuar plagë shpuese dhe tej shpuese, dhe me pas, pa folur fare shkon në drejtim të dëmtuarit tjetër, Z.Gj, të cilin e godet me thikë duke i shkaktuar plagë shpuese dhe shqyese.

Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka përmbushur elementet e veprës penale të përshkruar si me lartë.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë”, thuhet në komunikatë.