Lajme

I shprehu brengën Chulick për spastrimin etnik të shqiptarëve në Luginë/ Aktivisti nga Medvegja i reagon Kurtit: Cinizëm

05/20/2024 22:34
nga:G B

Aktivisti shqiptar nga Komuna e Medvegjës, Haki Emini, ka reaguar ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili sot në takim me Zëvendës ndihmës Sekretaren e Departamentit të Shtetit amerikan, Nicole Chulick, i shprehur asaj brengën e tij në lidhje me spastrimin etnik administrativ të shqiptarëve që po ndodh në Luginën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit nga autoritetet e Serbisë.

Ai në një prononcim për Gazeta Blic, e quan këtë cinizëm, derisa thotë se Kurti s’po u lejon futjen në Kosovë.

“Çfarë cinizmi, kurse neve që na është marrë adresa dhe s’kemi letërnjoftime valide të Serbisë, sidomos ne të diasporës, Kurti ka dërguar një vendim në të gjithë aeroportet e botës mos të na lënë të futemi në Kosovë me pasaporta serbe, pasi sipas një reciprociteti me Serbinë lejohet vetëm me letërnjoftime të futemi në Kosovë, kur të pasivizohet adresa nuk ke drejtë në letërnjoftim, Kurti e di shumë mirë këtë diskriminim serb ndaj diasporës së Luginës dhe prapë nuk e tërheq vendimin. Maltretohemi nëpër aeroportet e Zvicrës, njerëzit i nxjerrin biletat dhe prapë sipas vendimit të Kurtit na kthejnë mbrapa”, thotë Emini.

Ai thotë se Kurti po i injoron kërkesat e tyre të vazhdueshme që ta ndryshojë këtë vendim.

“Ne kemi mbet mbyllur. Serbia të fshin nga adresa bukfalisht të shpall apatrid, kurse Kurti ta ndalon hyrjen në Kosovë, pastaj me një cinizëm si ky qanë me lot përpjetë, kjo është cinizëm ekselant. I kemi shkruar, i kemi lutur institucionet e Kosovës por kot, ne nuk figurojmë te Kurti njëjt as te Vuçiqi”, deklaron aktivisti Haki Emini./Gazeta Blic/

Kurti mirëpriti në takim Chulick, shpreh brengën në lidhje me spastrimin etnik të shqiptarëve në Luginë