Policia e Cërrikut ka arrestuar një person të akuzuar nga Gjykata e Pejës, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.
Si rezultat i shkëmbimit të informacioneve dhe koordinimit të punës, ndërmjet Komisariatit të Policisë Cërrik dhe agjencive ligjzbatuese në Kosovë, u mundësua kapja dhe arrestimi, me qëllim ekstradimin në Kosovë, i shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar A. S., 33 vjeç, banues në Cërrik.
Gjykata Themelore e Pejës i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kultivimi i bimëve të hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” dhe “Blerja, posedimi dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, parashikuar nga Kodi Penal i Republikës së Kosovës.
Interpol Tirana po bashkëpunon me agjencitë ligjzbatuese në Kosovë, për ekstradimin e 33-vjeçarit.
/Euronews Albania/