Sporti

I përfshirë në trafik droge, prokuroria kërkon 9 vite burg për futbollistin e kombëtares së Holandës!

01/24/2024 19:34
nga:Lorik J

Moment shumë i vështirë për Quincy Promes. Prokuroria holandeze ka kërkuar 9 vjet burg për futbollistin e Spartakut të Moskës, i cili dyshohet se ka importuar mbi 1300 kilogramë kokainë. Akuza e ngritur ndaj holandezit është ajo e trafikut të drogës.

“Voetbalzone” raporton njoftimin e gjykatës së Amsterdamit, e cila bëri të ditur kërkesën e Prokurorisë: 9 vite burg për Promes.

Sulmuesi i krahut, ish-futbollisti i Ajaxit, me 50 ndeshje dhe 5 gola në përfaqësuesen e Holandës, është gjithashtu i dyshuar për tentativën e vrasjes së kushëririt të tij gjatë një feste në vitin 2020.

Promes nuk ishte i pranishëm në seancë: avokatët e tij, Robert Malewicz dhe Sophie Hof, raportuan se 32-vjeçari mohon çdo përfshirje në trafikun e drogës.

Për të shmangur dënimin, “Voetbalzone” nënvizon se Promes po punon për të përfunduar procesin për marrjen e pasaportës ruse. Kështu do të përfitonte nga mungesa e një marrëveshjeje ekstradimi mes Rusisë dhe Holandës.

Në këtë mënyrë, për sa kohë ai qëndron në Moskë, nuk mund të ndiqet penalisht nga sistemi i drejtësisë së vendit të tij./ss