Lajme

I pakënaqur me pushtetin, deputeti i LVV-së abstenon për Trustin

06/23/2022 16:58
nga:Astrit Gashi

Deputeti i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli ka abstenuar në votimin e Projektligjit për Fondin Pensional.

Humolli ishte i vetmi deputet i shumicës parlamentare, prezent në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, që nuk votoi në koordinim me qëndrimet e Qeverisë së Kosovës dhe Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.

Më parë gjatë debatit rreth Projektligjit për Fondin Pensional, Humolli shprehu pakënaqësi me mënyrën se si po menaxhohen investimet e Trustit nga Qeveria e Kosovës.

“Trusti Pensional ose Fondi Pensional, tek ne qytetarët e japin për të siguruar një jetë komode në pleqësi. Duke parë që mjetet tona dalin jashtë, këto para të Trustit nuk janë investuar për të siguruar që pleqtë tanë të kenë një jetë stabile sepse klasa jonë politike nuk i ka besuar ekonomisë së vendit tonë. Unë nuk jam që këto para të Trustit të hiqen nga Trusti Pensional, sepse shpresoj që qeveria nuk do të lejojë eksport të financave dhe që këto para të dalin jashtë vendit tonë. Unë nuk do të votoj as pro, as kundër tërheqjes nga Trusti”, tha Humolli.