Lajme

I nxehti afrikan pritet të përfshijë Kosovën, temperatura deri në 38 gradë Celsius

06/20/2021 14:26
nga:Q R

Java fillon me mot të nxehtë e shtrëngata me shi. Më pas shtrihet vala e të nxehtit dhe ngre temperaturat edhe mbi 35 C. Priten edhe netë tropike.

Ditën e hënë mbetet mot jostabil, ku gjatë ditës priten zhvillime të shtrëngatave me shi, e që vende-vende do të jenë mjaft intenzive ku mund të sjellin reshje të dendura e nuk përjashtohen mundësi edhe për breshër, njofton Prishtina Weather.

Nga dita e martë nuk parashihen mundësi për të reshura, megjithëse gjasat mbeten që orëve të pasdites përreth viseve malore të ketë zhvillime të rrebesheve me bubullima.

Me valën e të nxehtit, mbi rajon pritet të shtrihen edhe koncentrime të larta të pluhurit saharian, që mund të ndikojë në përkeqësim edhe të cilësisë së ajrit, duke rritur përqendrimet në grimcat e materies PM10, e indeksi mund të kaloj edhe në vlera të dobëta, e vlerat e çastit edhe në shumë të dobëta.

Indeksi i rrezeve UV do të jetë në vlera shumë të larta, prandaj në këto ditë preferohet ekspozim më i ulët ndaj rrezeve të diellit përgjatë orëve të mesdites.

Datat:

21.06 – Në mëngjes intervale me diell. Pasdite dhe në mbrëmje priten zhvillime të shtrëngatave me shi. Vende-vende shtrëngata do të jenë intenzive me mundësi edhe për reshje breshëri.

22.06 – Kryesisht me diell dhe shumë nxehtë. Pasdite përreth viseve malore me zhvillime të vransirave lokale. Mbeten mundësi për rrebeshe të izoluara me bubullima.

3.06 – Kryesisht me diell dhe shumë nxehtë. Pasdite përreth viseve malore me zhvillime të vransirave lokale. Vende-vende mundësi për rrebeshe të izoluara me bubullima.

24.06 – Mot shumë i nxehtë, me diell dhe vransira kalimtare gjatë ditës.

25.06 – Shumë nxehtë. Pasdite priten zhvillime të vransirave lokale, e përreth viseve malore mundësi për rrebeshe shiu me bubullima.

Temperaturat minimale luhaten nga 15C deri 20C, e maksimalet në rritje nga 31C të hënën, deri në 38C ditën e enjte.

Era do të fryj e lehtë dhe mesatare nga jugperëndimi dhe perëndimi 2-10m/s.

Shtypja atmosferike pas rënies ditën e hënë, më pas gradualisht në rritje.