Lajme

I kërkuan ta fshinte postimin ku denoncoi dy vendimet e ndryshme të gjyqtares për të njejtin rast, Sylejmani ankohet në KGJK

11/02/2026 10:28
nga:Genita C

Valmirë Sylejmani ka njoftuar se ka paraqitur ankesë zyrtare në Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK) kundër Gjykatës Themelore në Mitrovicë, raporton GazetaBlic.

Ajo ditë më parë tha se gjykata ka dhënë një reagim të pasaktë lidhur me një rast penal për të cilin ishte ankuar publikisht, duke përmendur edhe vendimin e gjyqtares Pranvera Ademi për lirimin nga akuza të të pandehurit, pas një vendimi paraprak dënues.

Skandal: Gjykatësja në Mitrovicë mori dy vendime të ndryshme për rastin e njëjtë, Sylejmani i publikon faktet

Sylejmani ka ngritur shqetësime edhe për një vizitë të një familjari të gjyqtares në vendin e saj të punës, i cili, sipas saj, i kishte kërkuar ta fshinte publikimin nga Facebook-u.

Ajo i ka kërkuar KGJK-së të hetojë rastin, përfshirë pretendimet për presion, si dhe të vlerësojë përgjegjësinë e gjyqtares dhe personave përgjegjës për reagimin e gjykatës.

Reagimi i plotë:

Ju njoftoj se sot zyrtarisht kam deponuar ankesë në KGJK kundër Gjykatës Themelore në Mitrovicë.

Të nderuar,

Përmes këtij emaili denoncoj qëndrimin kamuflues dhe qasjen qëllimisht deinformuese të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, të cilat i konsideroj jo vetëm të rënda dhe të papranueshme, por edhe shkelje flagrante të detyrimit që ka çdo institucion gjyqësor për të qëndruar te e vërteta. Kërkoj që pa vonesë të ndërmerrni masat ligjore dhe disiplinore ndaj të gjithë personave përgjegjës.

Më 29.10.2026, në faqen time në Facebook, edhe si pasojë e situatës së krijuar pas vrasjes së të ndjerës Arlinda Zekaj, kam kritikuar publikisht mënyrën dhe rrethanat në të cilat gjyqtarja për të mitur Pranvera Ademi, e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, e ka trajtuar çështjen penale P. nr. 494/2024. Në këtë çështje unë kam pozitën e kujdestares ligjore të të miturës dhe nëna e saj. e cila është viktimë e veprës penale.

Në postimin tim kam ngritur një çështje konkrete dhe të verifikueshme: kontradiktën e hapur në vendimmarrjen e gjyqtares Pranvera Ademi. Fillimisht ajo e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar të pandehurin BM, ndërsa pas rigjykimit, mbi bazën e të njëjtave prova dhe për të njëjtën akuzë, e ka liruar nga akuza. Një kthesë e tillë rrënjësore, pa asnjë provë të re, kërkon shpjegim – jo heshtje, e aq më pak sulm ndaj atij që e ngre.

Më 30.10.2026, në vendin tim të punës është paraqitur një familjar i gjyqtares Pranvera Ademi, i cili ka kërkuar ta fshij postimin. Një paraqitje e tillë, në vendin tim të punës dhe me një kërkesë të tillë, nuk mund të shihet ndryshe veçse si përpjekje për të ushtruar presion mbi mua dhe për të më heshtur. Po atë ditë kam bërë një publikim tjetër, të cilin e gjeni bashkëngjitur në këtë ankesë, me të cilin kam reaguar publikisht karshi kësaj vizite dhe kërkesës për fshirje të postimit.

Po atë ditë, më 30.10.2026, Gjykata Themelore në Mitrovicë ka reaguar publikisht ndaj postimit tim të datës 29.10.2026, duke pretenduar se përmbajtja e tij nuk pasqyron saktë vendimin gjyqësor dhe arsyetimin mbi të cilin ai mbështetet.

Ky reagim është kamuflues e i njëanshëm dhe e shmang me vetëdije thelbin e kritikës sime. GJTH Mitrovicë hesht plotësisht për aktgjykimin dënues P. nr. 494/2024, të datës 31.10.2025 – pikërisht për vendimin që e bën të dukshme kontradiktën që kam ngritur. Në vend që të japë llogari, Gjykata ka zgjedhur të më paraqesë publikisht si gënjeshtare. Ky është një veprim i ulët, i rëndë dhe absolutisht i papranueshëm për një institucion gjyqësor.

Pikërisht kjo qasje më ka detyruar të bëj kundërreagimin që e gjeni bashkëngjitur, me të cilin e kam përgënjeshtruar publikisht GJTH Mitrovicë. Për ta bërë këtë, kam publikuar vetëm numrat e aktgjykimeve dhe vendimet e gjykatës, duke fshirë çdo të dhënë tjetër. Me fjalë të tjera, të vërtetën e kam vërtetuar me dokumentet e vetë Gjykatës.

Është skandaloze dhe e papranueshme që një qytetare, kujdestare ligjore e një viktime të mitur, të detyrohet të përballet publikisht me një institucion të drejtësisë dhe të publikojë dokumente e prova vetëm për t’u mbrojtur nga një reagim institucional i pasaktë. Ishte detyrë e Gjykatës që reagimi i saj të ishte i plotë, objektiv dhe juridikisht i saktë që në momentin e publikimit. Këtë detyrë Gjykata e ka shkelur.

Edhe më e rëndë është heshtja e GJTH Mitrovicë për një rrethanë tjetër serioze: paraqitjen e familjarëve të gjyqtares Pranvera Ademi në vendin tim të punës dhe kërkesën e tyre për fshirjen e publikimit të datës 29.10.2026. Gjykata ka gjetur kohë që brenda ditës të më diskreditojë mua, por nuk ka gjetur asnjë fjalë për këtë rrethanë, edhe pse ajo ishte bërë publike.

Kjo zbulon qartë qëndrimin e GJTH Mitrovicë dhe qëllimin e vërtetë të reagimit të saj: të më paraqiste mua si gënjeshtare, në vend që të distancohej dhe ta dënonte një veprim të rëndë, i cili përbën formë ndikimi dhe presioni të papërshtatshëm ndaj kujdestares ligjore të viktimës.

Për këto arsye, kërkoj nga KGJK që ta hetojë menjëherë dhe në tërësi këtë rast, të vlerësojë përgjegjësinë disiplinore të gjyqtares Pranvera Ademi dhe të personave përgjegjës për reagimin publik të GJTH Mitrovicë, si dhe ta hetojë paraqitjen e familjarëve të gjyqtares në vendin tim të punës si përpjekje për ndikim dhe presion. Përgjegjësia institucionale nuk përmbushet me reagime publike mbrojtëse, me diskreditimin e denoncuesit apo me forma të tjera meskine, por me transparencë, paanshmëri, llogaridhënie dhe mbrojtje reale të të drejtave të qytetarëve.

GJTH Mitrovicë duhet ta ndryshojë menjëherë qasjen e saj institucionale. Viktimat nuk janë statistika. Denoncuesit dhe kritikuesit nuk janë armiq dhe nuk do të pranojmë që të trajtohen si të tillë. Kritika dhe kërkesa për drejtësi nuk janë rrezik që duhet shtypur e përbaltur, por zë që Gjykata ka detyrim ta dëgjojë.

Në fund, viktima në këtë çështje është një fëmijë. Një gjykatë që, në vend që ta mbrojë këtë fëmijë, përdor informata kamufluese për të shtypur dhe censuruar kritikën, e ka humbur kompasin e saj institucional. Pres që KGJK ta trajtojë këtë rast me seriozitetin që meriton.Këshilli Gjyqësor i Kosovës