Lajme

“I kanë futur në dhoma të ndyrshme” – Agusholli i VV’së zbulon detaje për maltretimin e kosovarëve në kufi: Kanë ushtruar presion psikologjik mbi ta

04/17/2024 19:41
nga:G C

Deputeti i VV’së, Gramos Agusholli ka zbuluar disa detaje tjera në lidhje me maltretimin që kosovarët patën sot në kufirin Serbi-Kroaci.

Agusholli në një prononcim për GazetaBlic thekson se, disa prej tyre, serbët i kanë futur në dhoma të ndryshme, ku siç potencon, kanë ushtruar presion psikologjik mbi ta.

“Përcolla me vëmendje situatën e ‘ marrjes peng ‘ të qytetarëve tanë në kufirin Serbi-Kroaci. Me sa kam informacion, disa prej tyre edhe ishin futur nëpër dhoma të ndryshme, duke i marrë në pyetje dhe duke bërë presion psikologjik mbi ta”, tha Agusholli.

Këtë Agusholli e quan hakmarrje të shtetit serb, teksa shton se është shkelje e marrëveshjeve ndërkombëtare.

“Kjo është hakmarrje e qartë e shtetit serb ndaj qytetarëve tanë, është edhe shkelje flagrante e marrëveshjeve ndërkombëtare. Qysh pret Serbia të integrohet në EU, kur qytetarët evropian nuk janë të lirë, të kalojnë transit nëpër shtetin e saj?

“Është shumë me rëndësi që Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara t’i përcjellin me vëmendje këto veprime të shtetit serb”, shton Agusholli.

Sipas Agusholli, fajtori kryesor për situatën në të cilën u gjendën sot qytetarët e Kosovës është Beogradi në krye me Vuçiqin.

“Konsideroj që fajtori i vetëm në këtë rast është Beogradi, në krye me Vuçiqin. Ky është veprim politik dhe lojë e qartë e shtetit serb të cilën e ka luajtur dhe vazhdon ta luaj tash e shumë vite”, tha Agusholli.

“Është me rëndësi që kjo situatë të rregullohet e të mos shkaktojë kundërpërgjigje nga ana e shtetit tonë”, përfundon Agusholli për GazetaBlic.

Qalaj për maltretimin e kosovarëve në kufi: Përgjegjëse është edhe BE-ja