Jurgen Klopp i jep sot fund aventurës së mrekullueshme me Liverpoolin, skuadër me të cilën fitoi gjithçka.
Gjermani është kthyer në një legjendë në “Anfield”. Përballë Wolvesit do të përshëndetet për herë të fundit me popullin e kuq.
“Jam i rraskapitur, kam nevojë për pushime”, theksoi gjermani në momentin që njoftoi largimin nga drejtimi i The Reds në fundin e sezonit.
Veprim që e bëri për t’i dhënë kohë drejtuesve në gjetjen e pasardhësit të tij, i cili do të jetë holandezi Arne Slot.
Sa i përket së ardhmes, Klopp bën një premtim për tifozët e veçantë të Liverpoolit. Duke deklaruar se nuk do të drejtojë klub tjetër në ishull.
“Më presin pushime të gjata, kjo është e sigurt. Koha ime në Angli përfundoi. Padyshim që po, sepse nuk do të stërvis asnjë skuadër tjetër këtu”, theksoi një ndër trajnerët më të mirë në planet.
8 trofe shijoi 56-vjeçari nga Stuttgarti me Liverpoolin, ku dallohen titulli kampion, që klubit i mungonte prej 30 vitesh, dhe Champions League.