Një i ri i komunitetit serb, ditë më parë kishte raportuar disa zyrtarë policorë në Inspektorat me pretendimin se është keqtrajtuar nga ta.
Por, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), të premten (16 janar) doli me njoftimin se hetimet kanë përfunduar dhe ka rezultuar se viktima e pretenduar, në fakt ka bërë lajmërim të rremë.
Për këtë rast ka folur Kushtrim Hodaj, kryeshef i IPK-së, i cili tregoi në detaje se si ka ardhur deri te zbulimi i këtij rasti.
“Kemi pranuar një ankesë nga disa qytetarë ndaj punës së policëve, të cilët kanë pretenduar se njëri prej qytetarëve që ka qenë me ta, është keqtrajtuar nga ana e policisë në një pikë kontrolli në Leposaviq. Por, gjatë ndërmarrjes së hetimeve tona, sigurimit të video-incizimeve dhe deklaratave të ndryshme, edhe të ankuesve e edhe të zyrtarëve policorë, kemi ardhur në përfundim se ankesa ka qenë e sajuar, se nuk ka pasur veprime të policisë që kanë tejkaluar autorizimet policore, aq më tepër që në video-incizime duket se ka qenë një kontroll dhe veprimet e policisë kanë qenë standarde dhe në harmoni me procedurat standarde dhe të bazuara në ligje”.
“Ne kemi konsideruar që të njoftohet prokurori për këto gjetje, dhe kemi ardhur në përfundim se ankesat janë të sajuara dhe janë deklarime të rreme, dhe kemi iniciuar rast ndaj qytetarit për deklarim të rremë”, tha Hodaj.
Ai potencoi se nuk ndodh shpesh që IPK të adresojë kallëzime për deklarim të rremë. Por, shtoi se kur ka pamje filmike dhe shihet qartë që ka sajime, “IPK duhet të mbrojë dhe do të mbrojë zyrtarët policorë nga ankesat që kanë për qëllim dëmtimin e imazhit policor”.


