Lajme

I hapet rruga shpalljes së rezultateve përfundimtare, kritikohet KQZ-ja për vonesa

03/13/2025 20:37
nga:G B

Rinumërimi i fundit i kërkuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa përfundoi pasditen e së mërkurës.

E Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ishte në pritje të shqyrtimit edhe të një ankese për këtë proces që e dorëzoi në Gjykatën Supreme koalicioni nga minoritetet PDAK-LPB-së.

Supremja këtë ankesë e ka cilësuar si ‘të pathemeltë” dhe kështu i ka hapur rrugë shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Krejt këto i ka përcaktuar Ligji për Zgjedhjet.

“Para thirrjes së mbledhjes për shpalljen e rezultateve, KQZ do të marrë konfirmimet nga PZAP dhe Gjykata Supreme nëse në këto institucione kanë ndonjë ankesë që kërkon vendimmarrjen e tyre dhe nëse KQZ mund të procedojë me shpalljen e rezultateve përfundimtare”, kanë thënë nga KQZ-ja.

Por, dikush e ka një ankesë për krejt këto zvarritje e dyshime që kanë ardhur pas më shumë se një muaji nga zgjedhjet.

Në organizatën “Demokracia në Veprim”, që ka monitoruar procesin zgjedhor, thonë se digjitalizimi i këtij procesi do të evitonte ankesat e dyshimet për manipulime.

“Siç duket KQZ-ja duket ta rimendoj edhe njëherë sistemin e administrimit, numërimit dhe rinumërimit të votave. Ndoshta është koha që të shkojmë në një sistem digjital në mënyrë që të evitohen të gjitha këto parregullsi. Por duket qartë se ndërmjet dorës së njeriut po shkaktohen dhe dyshohet për manipulime”, ka thënë Vullnet Bugaqku.

Të fundit vota që u rinumëruan në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ishin disa nga votat me postë të cilat paraprakisht ishin shpallur të pavlefshme nga komisionerët dhe vëzhguesit.

Pas këtij procesi, doli se mbi 1 mijë votime që ishin shpallur të pavlefshme nga votat me postë, tani pas rivlerësimit janë cilësuar si të vlefshme./Dukagjini/