Sporti

I gjithë Manchester United në shitje, vetëm 3 lojtarë jashtë merkatos!

04/30/2024 15:34
nga:Mergim Rreci

Manchester United është i tëri në shitje. Drejtuesit e klubit janë të hapur të shesin shumicën e skuadrës në një fushatë eksplozive shitjesh në verë me vetëm tre lojtarë që konsiderohen jashtë merkatos.

Hierarkia e re drejtuese e klubit, e udhëhequr nga bashkëpronari Sir Jim Ratcliffe, janë të përgatitur të jenë të pamëshirshëm me largimet e mundshme në fund të sezonit, veçanërisht pasi United i duhet të respektojë kufizimet e rregullave financiare të vendosura nga Premier League.

Manchester United nuk do të jetë në Champions League sezonin e ardhshëm, cka përbën një kërcënim serioz për planet e drejtuesve duke sjellë paqartësi për të ardhmen e lojtarëve , ashtu si dhe për trajnerin Erik ten Hag e ardhmja e të cilit nuk është e sigurt.

Media angleze bëri të ditur se tek United janë mendjehapur sa u përket shitjeve dhe të gatshëm të vlerësojnë oferta. Madje dhe një lojtar si Marcus Rashford mund të lejohet të largohet me hapjen e merkatos.

Burime për mediat britanike bëjnë të ditur se te United janë të gatshëm të marrin në konsideratë ofertat për sulmuesin që është jashtë forme, aq më tepër nëse ai vetë kërkon largimin.

Shitja e Rashford është një opsion për United duke qenë se 100% e vlerës së siguruar do të konsiderohej si fitim i pastër për një lojtar të rritur në akademinë e klubit. United i duhet të gjenerojë të ardhura për buxhetin e transferimeve, me klubin që kërkon një sulmues të ri, një mesfushor qendre dhe një mbrojtës të djathtë, por nuk ka kapacitetin për të shpenzuar shuma të mëdha si në vitet e fundit.

Nëse United nuk luan fare në Europë, ata do të duhet të ndjekin një politikë drastike shitjesh, pasi aftësia për të shpenzuar sezonin e ardhshëm është kompromentuar nga 555 milionë paundë të shpenzuara në 3 verat e fundit.

Vetëm 3 lojtarë, Kobbie Mainoo, Alejandro Garnacho dhe Rasmus Hojlund, janë kursyer nga lista e shitjeve, me United që shpreson të ndërtojë një skuadër fituese rreth kësaj tresheje në të ardhmen.