Lajme

I dyshuari për plagosjen e trefishtë në Deçan u arrestua në vendngjarje, policia tregon çka sekuestroi

01/13/2026 08:49
nga:Genita C

Tre persona kanë mbetur të mbetur në një lokal rreth orës 00:18 në Deçan. Policia ka bërë të ditur se i dyshuari për rastin tashmë është arrestuar.

“Drejtoria Rajonale e Policisë nё Pejë, Stacioni Policor në Deçan, me datën 13.01.2026, rreth orës 00:15, është njoftuar se në njё lokal nё rrugën “Luan Haradinaj” nё Deçan, ka pasur tё shtёna me armё. Policia menjëherë i është përgjigjur rastit ku nё vendin e ngjarjes janё hasur personat e lënduar, tё cilёt janё dërguar me autoambulancë nё spitalin rajonal nё Pejё”.

Në komunikatën për media thuhet se i dyshuari u arrestua në vendin e ngjarjes dhe nga ai janë sekuestruar armë, karikator e fishekë. I njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë.

“Njё (1) armё pistoletё Zoraki 9mm, njё (1) karikator i sё njёjtёs armё, nёntё (9) fishekё kal:9mm, tri (3) gёzhoja. I dyshuari pas intervistimit nga hetuesit, me vendim tё prokurorit tё shtetit, ёshtё dёrguar nё mbajtje pёr 48 orё.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi deklaroi për Gazetën Online Reporteri.net se tre të plagosurit fillimisht ishin dërguar në QMF dhe pastaj në Emergjencën e Spitalit të Pejës.