Lajme

I dërguari i ri i Britanisë ishte takuar njëherë me Thaçin, ishte folur edhe për FSK-në

12/02/2021 18:42
nga:M K

Emisari i ri i Britanisë së Madhe për Ballkanin, Sir Stuart Peach ishte takuar me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi më 6 tetor të 2018-ës.

Siç njoftonte presidenca atë kohë, temë e diskutimit ishte pikërisht Ushtria e Kosovës.

“FSK-ja është e gatshme të bëhet ushtri e Kosovës”, thoshte Thaçi në atë kohë.

Ndërkaq Peach kishte thënë se NATO nërpërmjet KFOR-it do të vazhdojë ta kryente misionin e vet në interes të Kosovës dhe rajonit.

“Presidenti Thaçi ka theksuar se me transformimin e FSK-së, NATO-ja do ta fitojë një partner të besueshëm”, thoshte presidenca në njoftimin e vet atë kohë.

Ndryshe, Gabriel Escobar nga SHBA-ja, Miroslav Lajçak nga BE-ja dhe Sir. Stuart Peach nga Britania e Madhe momentalisht bartin pozita të veçanta karshi politikave të Ballkanit Perëndimor, përfshi këtu edhe dialogun Kosovë-Serbi.

Përgjatë së enjtes kryeministri britanik Boris Johnson njoftoi për emërimin e Sir. Stuart Peach në pozitën e të dërguarit special të Britanisë në Ballkanin Perëndimor.

Në njoftim u bë e ditur se Peach do të jetë i angazhuar edhe për dialogun Kosovë-Serbi.

“Puna e Sir Stuart do të mbështesë atë të Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar, Christian Schmidt, i cili vazhdon të ketë mbështetjen e plotë të Mbretërisë së bashkuar. Për Serbinë dhe Kosovën, ai do të punojë me partnerët tanë në mbështetje të dialogut Serbi-Kosovë të ndërmjetësuar nga BE”, deklarohet në njoftim.

Peach, i cili mban titullin “Sir”, ishte shef i Komitetit ushtarak të NATO-s dhe shef i Shtabit të Mbrojtjes në Britaninë e Madhe. Më 2000, ai shërbente si komandant i forcave ajrore të NATO-s në Kosovë.