Duke folur për tensionet në veri, që erdhën si rezultat i dy vendimeve të Qeverisë së Kosovës, atë për dokumentet dhe targat serb, i dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar tha se mospajtimet për veriun duhet të zgjidhen përmes diplomacisë.
“Ajo që po ndodh në veriun e Kosovës në të vërtetë është çështje midis Kosovës dhe Serbisë, prandaj është urgjente që të dy liderët e dy shteteve të takohen në Bruksel në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe të tejkalojnë mospajtimet sa i përket veriut”, tha ai.
Më 31 korrik, serbët lokalë ngritën barrikada në veri të Kosovës, duke kundërshtuar dy vendime të Qeverisë së Kosovës.
Qeveria e Kosovës kishte paraparë që nga 1 gushti të zbatonte lëshimin e dokumenteve për hyrje-dalje për të gjithë shtetasit e Serbisë që hyjnë në territorin e Kosovës.
Këtë praktikë, Serbia e aplikon ndaj shtetasve të Kosovës qe 11 vjet.
Po ashtu nga 1 gushti ishte paraparë të niste procesi i riregjistrimit të makinave me targa me akronime të qyteteve të Kosovës – që lëshohen nga Serbia – e që Prishtina i konsideron të paligjshme.
Zbatimi i dy vendimeve është shtyrë për 1 shtator, pas ndërmjetësimi të SHBA-së dhe BE-së me qëllim të uljes së tensioneve.
Kosova dhe Serbia zhvillojnë diskutime në Bruksel nën ndërmjetësimin e BE-së, që nga viti 2011. Procesi i dialogut ka për synim normalizimin e plotë të raporteve.
Kosova kërkon që një marrëveshje përfundimtare të përfshijë njohjen reciproke, ndërkaq Serbia insiston në një zgjidhje kompromisi.


