Lajme

I dëmtuari thotë se njëri nga të akuzuarit e kishte pranuar se i ka hedhur granatat në lokal

09/13/2022 16:33
nga:G B

I dëmtuari Hajrullah Kryeziu tha se i akuzuari Artan Avdullahu kishte deklaruar se ia ka vendosur granatat në lokal.

Këtë deklarim Kryeziu e dha të martën në rastin ku Avdullahu po akuzohet se i shtyrë nga të akuzuarit Bekim Krasniqi, Shkëlzen Zariqi dhe Vedat Rexhepi kishte vendosur granata dore dhe bombola gazi në lokalin e të dëmtuarit, të cilat kishin shpërthyer duke shkaktuar dëme të mëdha materiale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Paraprakisht, në seancën e sotme janë administruar provat materiale, ndër të cilat ishte edhe një audio-incizim, bashkëbisedim në mes Kryeziut dhe Avdullahut, prove kjo e cila ishte propozuar në seancën e kaluar.

Lidhur me këtë audio-incizim, mbrojtësi it të akuzuarit Avdullahu, avokat Afrim Salihu tha se e kundërshton në tërësi, pasi që sipas tij, komplet bashkëbisedimi është drejtuar nga vetë pala e dëmtuar.

Salihu po ashtu propozoi që si provë të administrohet edhe një përshkrim i dëshmisë së ekspertit nga laboratori qendror i kriminalistikës, ku sipas tij, eksperti ka ardhur në përfundim se nuk është vërtetuar se kush i ka përdorur mjetet shpërthyese.

Kjo provë nuk është kundërshtuar nga prokurori Burim Cerkini, e as nga mbrojtësit e të akuzuarve tjetër, e më pas është aprovuar edhe nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Valon Kurtaj.

Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Bekim Krasniqi, avokat Elvir Imeri ka kërkuar që të administrohen si provat e propozuara nga ana e tij më 12 janar 2022, propozim ky që u aprovua nga gjykatësi Kurtaj.

Pas kësaj, seanca ka vazhduar me dëgjimin e të dëmtuarit Kryeziu.

Ai lidhur me audio-incizimin e lartcekur deklaroi se i akuzuari Avdullahu nuk kishte qenë i njoftuar se biseda mes tyre është duke u incizuar, e këtë ai tha se e ka bërë për siguri personale.

Tutje, i pyetur nga avokati Salihu se a e kishte parë vetë se i mbrojturi i tij ia ka hedhur granatat në lokal, Kryeziu tha se vetë i akuzuari ka deklaruar se ka hedhur granatat.

“Ai vet ka deklaru dhe vet ka pranu që i ka hedh granatat dhe është nxit prej këtyre dy personave”, tha Kryeziu.

I pyetur nga avokati Imeri, pasi që sipas tij në video-incizim nuk kishte dëgjuar emrin e të mbrojturit të tij, a e ka përmendur ndonjëherë i akuzuari Avdullahu emrin e të akuzuarit Krasniqi, i dëmtuari tha se ky i fundit është përmendur disa herë.

“Unë edhe para gjykatës jam deklaru, Artan Avdullahu e ka përmend emrin e Bekim Krasniqit dhe dëgjohet shumë mirë kur i thom se a ka pas Bekimi me ta mbaru shpin me Shkelzen Zariqin bashk dhe ai thotë po, pasta ji them se a kanë pas me ti dhënë 12 mijë euro Bekimi dhe Shkelzeni dhe i njëjti përgjigjet po”, tha Kryeziu.

Seanca e radhës për këtë çështje është caktuar të mbahet më 14 shtator 2022.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 22 dhjetor 2020, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Artan Avdullahu akuzohet se më 25 maj 2010 dhe 7 shtator 2010, në rrugën “28 Nëntori” në lagjen “Dardania” në Prishtinë, pranë hyrjes së Kompanisë së Sigurimeve “ICT”, me qëllim të kërcënimit dhe frikësimit, në hyrje të lokalit të të dëmtuarit Hajrullah Kryeziu ka vendosur dy herë radhazi granata dore dhe bombola gazi.

Aty thuhet se më 25 maj 2010, i pandehuri Avdullahu ka vënë dy granata dore dhe një bombolë gazi, ku njëra granatë ka shpërthyer rreth orës 02:00 pas mesnate dhe tjetra granatë është gjetur e pashpërthyer. Ndërsa, më 7 shtator 2010, thuhet se ka vendosur një granatë dore dhe një bombolë gazi, të cilat edhe kanë shpërthyer, me ç’rast për pasojë kanë shkaktuar rrezikim të përgjithshëm për jetën e njerëzve, pasurinë e tyre dhe janë shkaktuar dëme materiale në muret, dyert dhe dritaret e objektit aty pranë.

Me këtë, Avdullahu akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, posedim ose në shfrytëzim të paautorizuar të armëve” nga neni 328, paragrafi 1 të Kodit Penal.

Sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, Artan Avdullahu, Bekim Krasniqi, Shkëlzen Zariqi dhe Vedat Rexhepi akuzohen se në kohën dhe vendin e përshkruar si në dispozitivin e parë, duke vepruar si anëtarë të grupit, me qëllim që vetes apo personit tjetër t’i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme, kanë kërcënuar rëndë të dëmtuarin Hajrullah Kryeziu, që të veprojë në dëm të pasurisë së tij.

Në aktin akuzues thuhet se i pandehuri Avdullahu ka vendosur dy herë radhazi granata dore dhe bombola gazi në pronën e të dëmtuarit Kryeziu, i shtyrë nga të pandehurit Krasniqi, Zariqi dhe Rexhepi.

Krejt kjo thuhet se është bërë me qëllim të kërcënimit dhe frikësimit që i njëjti të tërhiqet nga prona e tij, e cila gjendet në fshatin Milloshevë, në sipërfaqe prej 91 hektarë, e privatizuar në valën e 34 të privatizimeve të AKP-së, ku i dëmtuari kishte 25% të sipërfaqes të përgjithshme të tokës, e që kjo përqindje është bazuar në marrëveshjen e bërë në mes të pandehurit Bekim Krasniqi dhe tani të dëmtuarit Hajrullah Kryeziu.

Me këtë, të pandehurit akuzohen se kanë kryer veprën penale “Detyrimi”, e mbetur në tentativë, nga neni 267, paragrafi 2 lidhur me nenin 1 dhe nenin 20 të Kodit Penal.