Lajme

I arrestuari në Leposaviq dyshohet për spiunazhe

05/30/2024 12:48
nga:Sh R

Personi i arrestuar sot në Leposaviq, sipas burimeve të TV Dukagjini, dyshohet për spiunazhe. Për të njëjtin zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, kishte thënë se është arrestuar nën dyshimin për vjedhje të identitetit.

“[Rasti] Është vjedhje e identitetit qysh edhe është cilësuar prej prokurorit. Na e kemi ndaluar [të dyshuarin] dje rrugës për Leposaviq, në njëfarë vendi. E kemi marrë me vete në stacion. I kemi marrë disa materiale që ia kemi gjetur. 48 orë është ndaluar për arsye se duhet të bëhet verifikimi i identitetit me këqyr kush është dhe të vazhdojmë tutje”- ka thënë Elshani.

I dyshuari, sipas Elshanit, i ka dy identitete, një me dokumente serbe, ndërsa tjetrin me dokumente të Kosovës.

Ndërkohë, siç shkruan portali Kossev, personi i arrestuar me inicialet M.K ishte bashkëpunëtor i ngushtë i zëvendëskryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vulin.

Vulini është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA).