V.B është personi i arrestuar së fundmi nga autoritetet si i dyshuar për manipulimin e provave në rastin “Capat”-Sekiraqët.
Sot, Klankosova raportoi se ndaj tij është caktuar masa e paraburgimit nga Gjykata Themelore e Prishtinës.
Ai dyshohet se i ka manipuluar provat lidhur me rastin në fjalë.
Bazuar në vendimin për paraburgimin dyshohet se i njëjti e fshehu armën që i takonte Salih Sekiraqës.
“Ekziston dyshimi i bazuar se me datë 01.09.2024 në Prishtinë, pas përfundimit të gjuajtjeve mes dy grupeve, me qëllim të fshehjes dhe manipulimit me prova, i pandehuri V.B merr dy armë të cilat dyshohet se njëra është e të pandehurit S.S dhe tjetra dyshohet të jetë e të pandehurit F.A, me ç ‘rast shkon në terasën e lokalit në drejtim të banakut ku nga kamerat e lokalit vërehet se në dorë mban armë, pastaj del nga pjesa e prapme e lokalit i fsheh armët dhe kthehet në lokal, ku vërehet se në duar nuk ka më asgjë, e më këto veprime i pandehuri V.B në bashkëkryerje ka kryer veprën penale Manipulim me prova, po ashtu me të njëjtën datë, i pandehuri ka mbajtur në posedim të paautorizuar armët e zjarrit, të cilat i ka mbajtur në posedim dhe kontroll në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armët, të cilat armë janë përdorë si mjete për kryerjen e veprave penale, me këto veprime të pandehurit dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale Lëndim i rëndë trupor”.
Përplasja në rrugën “Gazmend Zajmi” e dy familjeve të njohur tronditi kryeqytetin të dielen e 1 shtatorit.
Nga shkrepjet e armëve të zjarrit u vra Premtim Gashi i “Capave” derisa pesë të tjerë u plagosën.