Lajme

I akuzuar për trafik droge dhe grup të strukturuar kriminal, dënohet me 8 vite burg ish-truproja i Sajmir Tahirit

09/20/2024 17:56
nga:Y I

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka njoftuar dënimin ndaj 3 të akuzuarve për trafik të lëndëve narkotike.

Mes tyre është edhe truproja i ish-ministrit të Brendshëm Sajmir Tahiri.

Paul (Agustin) Deda u shpall fajtor për dy akuza atë të trafikimit të lëndëve narkotike, ku u dënua me 12 vite burg dhe burg të strukturuar kriminal ku u dënua me 3 vjet burg.

Në njoftimin e SPAK, A2 mëson se Deda do të vuajë vetëm dënimin me 12 vjet burg dhe për shkak të gjykimit të shkurtuar i ulet dënimi me 8 vjet burg.

“Vuajtja e dënimit për të pandehurin Paul (Agustin) Deda do t’i fillojë nga dita e ekzekutimit të vendimit të formës së prerë dhe dënimi do të kryhet në një IEVP të sigurisë së lartë”, njofton SPAK.

Po kështu për të njëjtat akuza janë dënuar me 12 vjet edhe Leonidha Sejdiaj, Hamid Seferi, të cilët do të vuajnë përfundimisht nga 8 vjet burg.

Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim nga palët brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, afat i cili fillon nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit.