Kryetari aktual i komunës së Skenderajt Bekim Jashari, zyrtarisht e ka vetëm një kundërkandidat për këtë pozitë në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor.
Ai do të jetë Sami Lushtaku, nga Partia Demokratike e Kosovës.
Kjo për shkak se një nga kandidatët e mundshëm nga Lëvizja Vetëvendosje Hysni Mehani, është tërhequr nga gara.
Ai në një intervistë në Edicionin Special në Klan Kosova tha se Sami Lushtaku, çdo fushatë në vitin 2021 e ka bërë kundër Lëvizjes Vetëvendosje.
Mehani foli edhe për një konflikt që ka pasur kohë më parë me Lushtakun.
Ish-kandidati i Vetëvendosjes theksoi se është kërcënuar në vitin 2019-të nga kandidati i PDK-së.
“Sami Lushtaku çdo fushatë në vitin 2021 e ka bërë kundër Vetëvendosjes. Le ta thotë këtë. Tash Lëvizja Vetëvendosje i ka mbi 20 përqind në Skenderaj”.
“Sa më njeh mua e ka treguar nëpërmjet një statusi në Facebook. Jo për të thënë që Samiu kërcënon sepse nuk ka qytetarë që ka nevojë me i tregu për këtë punë dhe as që më frikëson. Nuk është lajm që Sami Lushtaku kërcënon dikë”.
“Në vitin 2019-të Sami Lushtaku ma ka prerë rrugën dhe më ka thënë ” E di se ku e ke familjen. Nuk e kam bërë që të tregoj se jam kërcënuar. Qytetarët e dinë se çfarë profili ka Sami Lushtaku dhe çfarë karriere politike ka”.


