Sporti

Hyseni për humbjen e Ballkanit: E turpshme dhe e çuditshme, ka përfundu cikli i tyre, me largimin e Emërllahut mbeten ekip pa ADN!

07/17/2024 11:05
nga:L J

Skuadra e Ballkanit dje ka marrë një humbje të turpshme në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë – pasi u mposhtën në penallti nga Santa Coloma, për t’u eliminuar nga kualifikueset e Ligës së Kampionëve, që në raundin e parë.

Koha e rregullt përfundoi me rezultatin 2-2, teksa vazhdimet me rezultatin 3-3, e krejt në fund në penallti, ekipi nga Andorra fitoi ndaj kampionit kosovar, duke ia shkaktuar kështu një humbje tronditëse.

Ish-futbollisti i shumë skuadrave kosovare, Berat Hyseni, që tashmë jeton në Angli, ka komentuar disfatën e Ballkanit, që befasoi opinionin kosovar. Sipas tij, cikli i sukseseve të Ballkanit ka përfunduar.

“Mendoj që cikli i sukseseve të Ballkanit ka përfundu në vitin që e kemi lënë pas, që dhe u shpall me shumë vështirësi dhe me shumë fat kampion. Normalisht edhe ndërrimi i lojtarëve shumë cilësor – por edhe prurjet te Ballkani nuk janë më lojtarë që munden t’i zëvendësojnë të larguarit”, tha fillimisht Hyseni për ‘GazetaBlic Sport’.

Sipas tij, humbja dje ndaj Santa Colomas ishte e turpshme dhe e çuditshme. Ai potencon me largimin potencial të Emërllahut, Ballkani do mbetet pa ADN.

“Besoj që tani Ballkani duhet të fokusohet në burimet brenda klubit, me lojtarë të ri për të paktën 2-3 vite. Ka qenë një humbje e turpshme dhe pak sikur e çuditshme, të them të drejtën jam befasu – mendoj që kaq ka qenë cikli – ka perfundu. Duhet lojtarë të ri që vijnë nga shkolla – nuk do të ketë më suksesin që e ka pas për një kohë të gjatë, nuk besoj që do të mundet të fitoj trofe në ketë vit në Kosovë. Me këtë çka kam pa te Ballkani – besoj që ka mbet veç një lojtar, pra mesfushori Emërllahu dhe largimin e tij Ballkani mbetet ekip pa ADN”, përfundoi Hyseni.

 

/GazetaBlic Sport