Ish-kryenegociatori i Kosovës për dialogun Kosovës-Serbi, Skënder Hyseni, ka folur në lidhje me deklaratën e dhënë nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, se duhet të ulen të bisedojnë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të hartuar draftin e Asociacionit.
Hyseni në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic” ka thënë se koordinimi me SHBA-të është jetik në çdo çështje dhe se shpreson që institucionet e Kosovës ta kenë kuptuar përfundimisht këtë.
“Koordinimi me SHBA-të është rrënjësor në çdo çështje. Uroj që institucionet e Kosovës këtë ta kenë kuptuar përfundimisht. Bashkëpunimi me SHBA-të është jetik në çdo çështje” tha Hyseni shkurt për “Gazeta Blic”.

Skënder Hyseni, Ish-kryenegociator për dialogun kosovë-Serbi
Presidentja e vendit, Osmani, deklaroi një ditë më parë se zgjidhja është të ulen me partnerët në SHBA dhe të prezantojnë para sekretarit Amerikan Blinken Draftin.
“Fillimisht! Unë mendoj që kështu është zgjidhja. Të ulemi me partnerët tanë në ShBA. Ta prezantojmë para Sekretarit të Shtetit, draftin tonë, i cili është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, në përputhje me letrën e Mogherinit që garanton që Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe në përputhje me qëndrimin e shkruar amerikan në editorialinn nga z. Chollet dhe z. Escobar, të cilët ndër të tjera sqarojnë se një trup e tillë do të jetë vetëm trupë koordinuese, pra pa kompetenca ekzekutive” ka thënë Osmani.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, deklaroi pas takimit të 14 shtatorit në Bruksel se s’ka pasur asnjë rezultat për shkak të kushtëzimit të Serbisë për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Kurti tha se kanë propozuar plan të sekuencuar për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit, ndërkaq pala serbe s’kishte asnjë propozim, por kushtëzonte me themelim të Asociacionit.
“Kur unë kërkova që ta shoh propozimin që ka dhënë Serbia, sepse mu tha që ka një të tillë, ndërmjetësit nuk ishin në gjendje që ta sjellin. Pas takimit mu dha një dyfaqësh, që është një dokument i vjetër së paku gjashtë muaj. Ai ishte dokument i Kushtëzimit të Serbisë, që njëherë duhet të zbatohet Asociacioni e më pastaj do të mund të kalojmë në zbatimin e kësaj marrëveshje”, deklaroi Kurti para mediave raporton “Gazeta Blic”.
/Gazeta Blic/
Osmani: Duhet të ulemi me ShBA-në dhe të përgatisim draftin tonë (të Asociacionit)


