Kandidati për deputet nga LDK, Ekrem Hyseni, ka marrë pjesë në ceremoninë e 35 vjetorit të themelimit të partisë.
Hyseni përmes një postimi në rrjetin social facebook, thotë se LDK-ja lindi në kohëra të vështira, për të qenë krah popullit.
Ai thotë se Republika jonë ka nevojë për një filozofi politike Rugoviane.
Postimi i plotë:
Me anëtarë, veprimtarë e simpatizantë besnik të LDK-së, sonte shënuam 35 vjetorin e themelimit të lëvizjes më të madhe kombëtare për liri, pavarësi e demokraci.
LDK-ja lindi në kohëra të vështira, për të qenë krah popullit. Duke ndërtuar fuqishëm vizionin për Republikën, me në krye intelektualin, politikanin, vizionarin e papërsëritshëm, Presidentin Historik, Dr. Ibrahim Rugova. Urtësisht, por vendosmërisht vuri veten në shërbim të lirisë, pavarësisë dhe demokracisë.
Falë besimit gjithpopullor, LDK e prirë nga Presidenti historik, Dr. Ibrahim Rugova, vuri themelet e Republikës.
Republika jonë ka nevojë për një filozofi politike Rugoviane, në mënyrë që rrugëtimi i saj të jetë i sigurt krah miqve dhe aleancave të cilat i ndërtoi Presidenti Rugova.
Prandaj, çdo ditë e më shumë Lidhja jonë po ringritet si një, për t’i dhënë vendit dhe qytetarëve qeverinë që e meritojnë.


