Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak në Forumin Ballkanik është pyetur nëse liderët e Ballkanit Perëndimor duhet t’i besojnë BE-së, duke marrë parasysh se pavarësisht premtimeve, Kosovës ende nuk i janë liberalizuar vizat.
Lajçak në anën tjetër është treguar mjaft ‘arrogant’ në përgjigjen e tij, duke thënë se “nëse nuk i besoni BE-së, shkoni diku tjetër”.
Në një prononcim për lajmi.net, ish-koordinatori shtetëror i Kosovës për dialogun Kosovë-Serbi, Skënder Hyseni, ka thënë se nuk pret ndonjë reagim nga Qeveria e Kosovës ndaj deklaratave të Lajçak.
“Unë nuk jam zëdhënës i Qeverisë, për këto duhet të pyesni Qeverinë. Unë nga kjo Qeveri nuk pres asnjë reagim racional për asgjë”, ka thënë shkurt Hyseni.
Pyetja ndaj Lajçak në Forumin Ballkanik është bërë nga hulumtuesi Samir Behariq, i cili ka thënë se Lajçak ka deklaruar se është bërë “trend” të kritikohet BE-ja për vizat.
“Tash është bërë trend të kritikohet BE-ja për liberalizimin e vizave, por liderët e Kosovës duhet të shkojnë në shtetet që po bllokojnë lëvizjen që të pajtohen”, ka thënë Lajçak, derisa ka pranuar se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e nevojshme, sipas Behariq.
Lajmi.net ka provuar të marrë një përgjigje edhe nga Qeveria e Kosovës për deklaratat e Lajçak, por të njëjtit nuk janë përgjigjur.