Lajme

Hysen Sali Çekaj tërhiqet nga gara për deputet për t’u kujdesur për nënën

12/08/2025 13:22
nga:G B

Hysen Sali Çekaj, anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka njoftuar sot se nuk do të jetë pjesë e listës së kandidatëve për Kuvendin e Kosovës në zgjedhjet e ardhshme. Në një komunikim drejtuar familjarëve, miqve dhe bashkëpunëtorëve, ai tha se vendimi vjen për shkak të përgjegjësive familjare, veçanërisht përkujdesjes ndaj nënës së tij, e cila ka nevojë për praninë e tij më shumë se kurrë.

“Siç e keni parë, kësaj radhe nuk do të jem kandidat për Kuvendin e Kosovës. Vullnetin, energjinë dhe bindjen për fitoren tonë të përbashkët i kam të plota. Por, përballë përgjegjësive që kam ndaj familjes sime, e sidomos ndaj nënës time, me keqardhje ju njoftoj se nuk do të jem pjesë e listës,” ka deklaruar Çekaj.

Ai theksoi se përkundër moskandidimit, angazhimi i tij politik nuk do të ndalet. Çekaj tha se do të vazhdojë të jetë aktiv në organizimin e mërgatës, duke apeluar që bashkatdhetarët të përkrahin Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe ndryshimin që, sipas tij, vendi ka nevojë urgjente.

“Ky vendim nuk e ndalon angazhimin tim. Përkundrazi — mbetem plotësisht aktiv në organizimin e mërgatës sonë të mrekullueshme. I ftoj të gjithë bashkatdhetarët e mi në përkrahje të LDK-së dhe të ndryshimit të domosdoshëm për Kosovën,” u shpreh ai.

Cekaj u shpreh i bindur se në zgjedhjet e ardhshme do të rikthehet edhe më fuqishëm në garë dhe në angazhimet e tij për LDK-në dhe vendin. Ai falënderoi të gjithë ata që e kanë kontaktuar pas marrjes së lajmit, duke kujtuar se mbështetja e mërgatës e kishte bërë atë kandidatin më të votuar në zgjedhjet e kaluara.