Lajme

Hysen Çekaj për VV-në: Më kërkuan të isha kandidat për deputet, sot duan të më baltosin

03/05/2025 12:47
nga:G B

Lëvizja Vetëvendosje ka orkestruar sulmet ndaj kandidatit të LDK’së, Hysen Çekaj, i cili arriti rezultat në votat e diasporës duke siguruar edhe ulësen e deputetit. Hysen Çekaj është i biri i ish-komandantit të UÇK’së, Sali Çekajt, i cili ishte edhe pjesë e Betejës së Kosharës.

Hysen Çekaj ka reaguar pas kësaj.

Në postimin e tij ai ka lënë të kuptohet se VV-ja e kishte ftuar të bëhej kandidat për deputet.

“Ata që dikur bënin fushatë duke përdorur emrin e babait tim, ata që kërkonin mbështetje brenda familjes tonë për të fituar votat e mërgatës, ata që e quanin Shtutgardin kryeqytet të mërgatës shqiptare, prej ku nisën Sali Çekaj me trima në luftë për Kosovën, ata që më kërkuan të isha pjesë e listës së tyre si kandidat për deputet (kërkesë që e refuzova, sepse unë kam lindur në LDK), sot janë organizuar me të gjitha mjetet për të baltosur emrin e familjes Çekaj dhe votën e mërgatës shqiptare”, shkroi ai.

Postimi i tij i plotë:

Të dashur qytetarë, vëllezër dhe motra,

Ata që dikur bënin fushatë duke përdorur emrin e babait tim, ata që kërkonin mbështetje brenda familjes tonë për të fituar votat e mërgatës, ata që e quanin Shtutgardin kryeqytet të mërgatës shqiptare, prej ku nisën Sali Çekaj me trima në luftë për Kosovën, ata që më kërkuan të isha pjesë e listës së tyre si kandidat për deputet (kërkesë që e refuzova, sepse unë kam lindur në LDK), sot janë organizuar me të gjitha mjetet për të baltosur emrin e familjes Çekaj dhe votën e mërgatës shqiptare.

Unë besoj se kemi jetë edhe jashtë politikës, edhe fytyrë; dhe mbi të gjitha dinjitet!

Vazhdojmë ballëhapur drejt kthimit të LDK-së si parti kryesore, aty ku e ka vendin!