Shqipëria ka hyrë në “ethet” e fundit të sfidës ndaj Armenisë, e cila do të luhet në “Air Albania” të shtunën në orën 17:30 dhe është e fundit për vitin kalendarik 2022.
Në konferencën për shtyp në prag të sfidës, përkrahë trajnerit Reja ishte edhe mbrojtësi Elseid Hysaj.
Fakti se rrezikojmë të mbyllim një vit kalendarik pa fitore, Hysaj e pranon se ndaj Armenisë duhet të marrim një fitore edhe për të lënë pas vështirsitë e këtij viti.
“Duhet të marrim një fitore sepse kemi pasur nje vit të vështirë. Një fitore do na shërbente të harronim vështirsitë e këtij viti, sepse kemi pasur disa ulje-ngritje. Besoj se të gjithë e duam këtë dhe të gjithë do të luftojmë që të dalim me sukses nga kjo sfidë e fundit. Ne hyjmë në çdo ndeshje vetëm për fitore, ashtu siç bëmë edhe ndaj Italisë. Duhet të japim maksimumin dhe duam vetëm fitore ndaj Armenisë.”
Sa ka ndikuar ardhja e lojtarëve të rinj në Kombëtare?
“Kanë ardhur shumë lojtarë të rinj, janë shumë të mirë, të edukuar, të përgatitur dhe që punojnë shumë, pasi e ndjejnë fanellën ashtu si ne që kemi më shumë vite këtu. Lojtarët e rinj e treguan edhe ndaj Italisë dhe kjo ndeshje me Armeninë do t’i ndihmojë akoma më shumë. Jam i bindur se pak rëndësi ka kush luan, pasi të gjithë japin maksimumin.”
Ecuria nuk është aspak e mirë në këtë vit dhe Hysaj tregon se kanë ndikuar shumë faktorë.
“Kemi pasur shumë mungesa dhe kanë ndikuar drejtëpërdrejtë në rezultate, por edhe në objektiva. Unë, por besoj të gjithë e kanë pasur ëndërr të veshin fanellën e Kombëtares dhe duhet ta kemi përsëri ëndërr, pasi këtu duhet të vijmë me qef dhe të gatshëm të tregojmë vlerat tona.”
A duhet të jemi më shumë skuadër, më të bashkuar?
Normal duhet të jemi një grup i bashkuar sepse asgjë nuk zgjidhet me individë. Edhe Messi është lojtari më i mirë në botë, por nuk e ka fituar kurrë Kupën e Botës, prandaj ne duhet të jemi të bashkuar. Ky aspekt nuk na ka munguar, por duhet të bëjmë akoma edhe më shumë dhe të shfrytëzojmë eksperiencën, por edhe grintën dhe talentin e lojtarëve të rinj.
Në fund Hysaj ka edhe një mesazh për tifozët.
Me Italinë stadiumi ishte plot sepse kombëtarja italiane ka shumë mbështetës këtu, por ne jemi të vetëdijshëm se tifozët nuk na kanë braktisur kurrë. Na kanë mbështetur dhe na kanë qëndruar afër dhe na kanë mbështetur kudo ku kemi luajtur, jo vetëm në Shqipëri. Janë ndër pikat tona më të forta dhe duhet t’i falenderoj shumë, ndaj ne duhet të fitojmë ndaj Armenisë edhe për tifozët, që të mbyllim këtë vit me fitore.
Shqipëria do të kërkojë të marrë maksimumin dhe pse është vetëm një takim miqësor, pasi në rast të kundërt rrezikon të mbyllë vitin 2022 pa asnjë fitore, ndërsa kjo është ndeshja numër 11 për këtë vit dhe deri më tani “kuqezinjtë” numërojnë 5 barazime dhe 5 humbje.


