Lajme

Hykolli: Së shpejti takohemi për të vendosur për pagën minimale

03/23/2022 09:27
nga:Astrit Gashi

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka paralajmëruar se paga minimale në Kosovë duhet të jetë 264 euro dhe e ka vlerësuar rritje të kënaqshme.

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli, tha se paga minimale varet prej Këshillit Ekonomiko Social (KES), i cili është i themeluar me ligj.

“KES-i përbëhet nga tre partnerë, qeveria e Kosovës, punëdhënësit dhe punëmarrësit, paga minimale del nga këshilli tre palësh, ne kemi pasur diskutime të cilat kanë dalë dy propozime të cilat nuk kanë marrë votat e Këshillit”, tha ai për RTK.

Sipas tij paga minimale është vendosur në vitin 2011 dhe ka qenë një pagë diskriminuese për punëtorët në Kosovë.

“Po të kishte pasur diskutim më herë, sot do të kishim një pagë më të arsyeshme. Ne mendojmë se paga minimale duhet të jetë e arsyeshme për punëtorët e Kosovës, për këtë vendos komisioni, atë propozim e caktojmë dhe e dërgojmë në qeveri për miratim”, deklaroi ai.