Lajme

Hykmete Bajrami: Kurti pa ofertë për presidentin, vendi rrezikon krizë të re politike

03/02/2026 17:56
nga:Genita C

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për, siç tha, mungesë serioziteti në procesin për zgjedhjen e presidentit, raporton GazetaBlic.

Ajo deklaroi se Kurti ka zhvilluar dy takime me kryetarët e PDK-së dhe LDK-së pa paraqitur asnjë propozim konkret apo emër për president, duke i cilësuar këto si takime formale pa rezultat.

Sipas Bajramit, Lëvizja Vetëvendosje, e cila bashkë me deputetët e komuniteteve joshumicë i ka 66 vota në Kuvend, mban përgjegjësinë kryesore për zgjedhjen e presidentit. Ajo theksoi se LVV ka pasur dy alternativa: përfshirjen e një partie tjetër në qeveri për të siguruar votat ose propozimin e një figure apartiake të pranueshme, por sipas saj, asnjëra nuk është realizuar.

Bajrami paralajmëroi se zgjedhjet e reja nuk janë zgjidhje, pasi do ta linin vendin pa institucione funksionale për muaj të tërë dhe do të sillnin kosto të larta financiare.

Ajo u bëri thirrje qytetarëve që të vlerësojnë, siç u shpreh, qasjen e Kurtit ndaj institucioneve dhe proceseve shtetërore.