Lajme

Hykmete Bajrami: Kurti ishte magjistar sa ishte në opozitë

01/25/2022 00:25
nga:Gazeta Blic

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se më e veçanta në seancën e sotme të Kuvendit për krizën energjetike të Kosovës ishte mosvotimi i mocionit për uljen e çmimit të energjisë elektrike.

Në Edicionin Special të Klan Kosovës, ajo ka theksuar se kjo ka ndodhur pasi deputetët e pozitës lëshuan sallën, sipas saj, kjo pikë do të hidhet në votim sërish në seancën e ardhshme.

“Deputetët e pozitës dolën jashtë për të pamundësuar votimin e kësaj rezolute. Mendoj se ata qëllimisht dolën për të mos lënë votimin e kësaj rezolute. Pati disa propozime nga ana e opozitës që qeveria do të duhej t’i merrte parasysh propozimet, besoj janë zgjidhje të mira për qytetarët”.

“Një ngritje në këtë mënyrë kaq ‘ad-hocke’ për qytetarët do të ishte e papërballueshme për shkak se në pushtet kemi një qeveri që është votuar nga 51 përqind e qytetarëve. Qeveria ka ardhur në pushtet, duke dhënë premtime që askush nuk do të mund t’i realizonte. Po shihet se tani as këta vetë nuk po mund t’i realizojnë”.

Bajrami ka deklaruar tutje se Kurti dhe kabineti i tij u shprehën më së miri se nuk janë magjistarë, sipas saj, ata kishin këtë dhunti kur ishin në opozitë.

“Ne nuk befasohemi me ndryshimin komplet të qëndrimit të tyre, nuk befasohemi nëse nuk do të mund t’i realizojnë premtimet e tyre, këtë e kemi parë në ditët e para të tyre. Do të thosha se qeverisja është sport i rëndë, kur të hysh aty nuk i ke krejt kompetencat, mandej mund të veprosh si janë rrethanat dhe faktorët që ndikojnë”, ka thënë Bajrami.