Deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Fatmir Humolli, thotë se arrestimi i dy kosovarëve nën dyshimin për spiunazh si bashkëpunëtorë të BIA-s serbe nuk është befasi.
Ai thotë se në kohën e sotme ka në çdo vend persona që janë të gatshëm për të punuar kundër shtetit të vet.
“Kjo nuk duhet me befasu asnjë qytetar, ashtu siç nuk është befasu AKI e cila i ka përcjellë dhe i ka arrestu. Në kushtet e sotme të një jete dinamike, gjithmonë ka mundësi mu gjet njerëz të përshtatshme për të huajt që e dëmton vendin e vet”, ka thënë Humolli në emisionin “ Ditari” në Tëvë 1.
Ai ka thënë se Serbia e ka ditë që s’do të jetë përgjithmonë në Kosovë dhe se ka krijuar mekanizma për ta pasur bashkëpunëtorë.
“Nuk është befasi me pas bashkëpunojë edhe në Kosovës ku shtetit serb ka pasur një administratë me dekada dhe ka ndërtuar mekanizëm të përshtatshëm për nevoja të veta edhe në ditët e sotme, sepse e ka ditë që këtu nuk do të jetë përgjithmonë. Qytetarët tanë duhet me kanë vigjilent të përgjegjshëm, ka thënë ai.
Të mërkurën në Ferizaj janë arrestuar dy shtetas të Kosovës nën dyshimin për spiunazh. Të arrestuarit janë një ish-pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe një ish-zyrtar i Doganës së Kosovës.
Të arrestuarave Prokuroria u ka caktuar masën e ndalimit prej 48 orëve.