Lajme

Humbjet milionëshe, Trusti pa bord/ Opozita e ekonomistët kritika Qeverisë – ky është paralajmërimi

03/22/2023 15:34
nga:G B

Trusti Pensional është pa bord menaxhues, e për këtë opozita është shprehur e shqetësuar.

Në Trust ruhen mbi 2.5 miliardë euro të qytetarëve të Kosovës.

Ndërsa, këtë vit janë humbje mbi 118 milionë euro, e vetëm nga 1 marsi janë mbi 60 milionë euro humbje të parave.

Kjo po shihet edhe si rezultat i mungesës së bordit të Trustit.

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se humbjet janë edhe në tregjet globale por që fatkeqësia më e madhe është që Trusti nuk ka bord, si institucioni kredibil për monitorimin e aktivitetit të tij.

“Është e vërtetë që Trusti ka humbur 118 milionë euro, ndërsa vetëm këtë muaj janë mbi 60 milionë euro humbje. Kjo është si rezultat i situatave në tregje globale por fatkeqësia më e madhe është që trusti aktualisht është pa struktura menaxhuese, pa bord dhe pa institucione menaxhuese që do të duhej të ishte e kompletuar tash. Bordi është institucioni i vetëm kredibil dhe përgjegjës për përcjelljen, monitorimin dhe gjithë aktivitetin investiv të trustit. Në këto situata, qeveria e ka vonuar tej mase vendosjen e organit më të lartë menaxhues të trustit”, thotë ai.

Deputeti Shala paralajmëron se situata mund të përkeqësohet edhe më shumë për shkak të mungesës së bordit.

“Shkalla e rrezikut është e lartë sepse tregjet ekonomike globale ndërkombëtare kanë bërë që ta rrisin shkallën e rrezikshmërisë edhe te ne dhe me mos funksionim të bordit, situata mund të përkeqësohet në shkallë edhe më të lartë”, deklaron deputeti Ferat Shala për Gazeta Blic.

I shqetësur për numrin kaq të lartë të humbjeve në trust është edhe deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, thotë se humbjet do të jenë edhe më të mëdha pa pasur bord Trusti pensional.

“Po bëhen 23 ditë që Trusti nuk ka bord i cili është për ta menaxhuar atë, për të ofruar zgjidhje dhe pa funksionimin e bordit humbjet do të jenë edhe më të mëdha. Kjo qeveri si çdoherë është vonuar mjaft, që dy vite nuk i ka bërë funksionale të gjitha bordet dhe nuk po i bëhet vonë që t’i bëjë funksionale ajo dhe këto po i bën qëllimshëm për të krijuar mjegull dhe dikush përfiton nga kjo”, tha ai për Gazeta Blic.

Ndërsa, eksperti i ekonomisë, Safët Gërxhaliu, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se në Kosovë çdo gjë është politizuar, por që rasti i guvernatorit të BQK-së dhe Trustit duhet analizuar dhe dikush duhet të japë përgjegjësi.

“Është e vërtetë se në Kosovë gjenda politike është dominuar dhe tentohet çdo gjë të jetë nën kontroll. Vetë fakti që kemi shumë borde të ndërmarrjeve publike të politizuara dhe prioritet është vetëm përkatësia politike është duke dëmtuar Kosovën, po besoj rasti i Bankës Qendrore dhe i Trustit janë storie që duhet analizuar dhe dikush të japë përgjegjësi. Si është e mundur që në këtë kohë të krizës financiare ku po tronditet edhe Amerika, Zvicra, Franca e vende tjera, Kosova të ketë pa definuar statutin dhe zgjedhjen e Guvernatorit, politizimit të këtij procesi dhe në anën tjetër në qoftë se nuk ke guvernator dhe je me ushtrues detyre, lind pyetja se si mund të kesh bord të kompletuar të Trustit Pensional. Trusti sot numëron më tepër se 2.5 miliardë euro para të qytetarëve të Kosovës dhe të vihet në këtë hap që të mos ketë mundësi për tërheqjen e parave të tyre apo për investimin në fonde të sigurta, vërtet është dëmi më i madh që po i bëhet Kosovës”, shprehet ai.

Ai përmend se qysh vitin e kaluar guvernatori i BQK-së kishte paralajmëruar ministrinë e financave dhe autoritet përgjegjëse se rreziku më i madh në Kosovë do të jetë moskompletimi i bordit të trustit dhe për këtë kishte dërguar 3 shkresa, ndërsa që thotë se shkresa për zgjidhje të këtij problemi ka dërguar edhe kryesuesi i menaxhmentit të trustit, por që ka hasur në vesh të shurdhër.

“Është e vërtetë që guvernatori i BQK-së vitin e kaluar e ka alarmuar ministrinë e financave dhe autoritet përgjegjëse se rreziku më i madh në Kosovë do të jetë moskompletimi i bordit të trustit pensional, janë tri shkresa të dërguara. Në anën tjetër nuk duhet të fajësohet menaxhmenti, kur vetë kryesuesi i menaxhmentit të trustit ka dërguar 4 kërkesa për azhurim dhe zgjidhje të këtij problemi dhe të gjitha këto kërkesa kanë hasur në vesh të shurdhër”, thekson Gërxhaliu për Gazeta Blic.

Ai shton se koston po e vuajnë qytetarët e Kosovës dhe se nuk është e lehtë kur shohin këto humbje, ku vetëm që nga mosfunksionimi i bordit të trustit kanë humbur mbi 65 milionë euro.

“Dhe koston po e paguajnë qytetarët e Kosovës, jo vetëm në aspektin ekonomik, jo vetëm në aspektin social por edhe në atë emocional, pasi nuk është e lehtë kur ata që kanë para në Trustin pensional e shohin devalvimin apo humbjen e vlerës së parave të tyre. Vetëm këtë vit është një humbje që kalon 100 milionë, mirëpo që nga mosfunksionimi i bordit të trustit janë avulluar më shumë se 65 milionë euro. Edhe bankat tjera kanë probleme por mundësi për alokim apo bartje në vende më të sigurta dhe këtë mundësi nuk e ka trusti, prandaj besoj se është koha kur duhet të depolitizohet ky proces, duhet të kemi guvernator profesionist dhe duhet bordi i trustit të kompletohet sa më shpejt që është e mundur. Çdo ditë e humbur është rrezik dhe këtë nuk e meriton qytetari i Kosovës”, deklaron Safët Gërxhaliu./Gazeta Blic/