Seria e tetë ndeshjeve radhazi pa humbje e Kombëtares së Shqipërisë është ndërprerë, pasi në miqësoren e ndjeshme ndaj Kilit, kuqezinjtë pësuan me rezultat 0 me 3.
Përballja mes Shqipërisë dhe Kilit u zhvillua në Parma të Italisë në stadiumin Ennio Tardini, ku kuqezinjtë zhvilluan një nga paraqitjet më të dobëta në kohët e fundit, duke mos arritur që për asnjë rast të dërgonin goditje brenda kornizës së portës.
Kjo humbje nuk vjen aspak në një moment të mirë, kjo pasi që Shqipëria është duke u përgatitur për ndeshjet e Kampionatit Evropian, aq më shumë për faktin se ka një nivel të lartë të kundërshtarëve brenda grupit.
‘GazetaBlic Sport’ ka kontaktuar dy trajnerët e mirënjohur shqiptar, Mirel Josën dhe Shpëtim Duron, të cilët natyrisht nuk mbeten aspak të impresionuar nga paraqitja e Shqipërisë në takimin e mbrëmshëm.
“Patjetër që është një humbje shqetësuese sepse jemi pranë Evropianit. Mbeta i zhgënjyer pothuajse nga e gjithë skuadra. Një eufori e madhe dhe jo një vlerësim i duhur për kundërshtarin që është i nivelit të lartë. Ajo që dua të veçojë është se Kili e bëri Shqipërinë dje. Të thjeshtë, kompakt, jo shumë raste por shënuan tre gola”, tha trajneri Duro për ‘GazetaBlic Sport’.
Në anën tjetër, Mirel Josa tha se trajneri Sylvinho duhet të bazohet tek grupi që e solli kualifikimin në ‘Euro 2024’ dhe se i vetmi afrim mund të jetë ai i Armando Brojës.
“Më mirë që këto lloj humbjesh ndodhin në këto ndeshje përgatitore. Ne si skuadër duam stabilitet dhe vazhdueshmëri, për futbollistët që e rinj që u aktivizuan dje nuk mund të nxjerresh konkluzione të qarta. Kili është një kombëtare me shumë eksperiencë, por ne duhet të kemi kujdes dhe mendoj që Sylvinho duhet të bazohet tek grupi që siguroi pjesëmarrjen në ‘Euro 2024’. Natyrisht, varet nga gjendja e tyre fizike dhe forma në muajin maj, por në parim besoj se duhet të ketë kujdes tek grupi që e solli deri këtu Shqipërinë, ndryshimi i vetëm mund të jetë afrimi i Brojës“, tha Josa.
Kujtojmë që në ndeshjen e radhës miqësore Shqipëria do të përballet me Suedinë, me këtë takim që zhvillohet të hënën nga ora 19:00.
/GazetaBlic Sport/