Familja e Kastriot Ramadanit, viktimës në rastin “Bon Vivant 2”, ka hequr dorë nga pjesëmarrja në gjykim, me arsyetimin se nuk besojnë që drejtësia do të vihet në vend në këtë rast, për shkak të shkeljeve që pretendojnë se e kanë përcjellë këtë gjykim nga fillimi i hetimeve e deri tani.
Në këtë rast, Andi Pajaziti akuzohet se e ka kryer vrasjen në gjendje të tronditjes së fortë mendore.
Në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, gjykatësi i çështjes, Eroll Gashi ka njoftuar se përfaqësuesi i familjes së dëmtuar Visar Ramadani, përmes një parashtrese, ka njoftuar këtë Gjykatë se duke qenë të zhgënjyer nga Prokuroria, e pastaj edhe nga vendimi që Gjykata e kishte dënuar mbrojtësin e familjes së dëmtuar, avokatin Flakron Sylejmani, nuk do të marrin pjesë në këtë seancë.
“Betimi për Drejtësi” ka siguruar letrën që familja e viktimës, përkatësisht Visar Ramadani e ka dërguar në emër të familjes Ramadani, për gjykatësin e rastit, Eroll Gashi, Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi dhe prokuroren Nebahate Salihu.
Në këtë letër, familja e viktimës ka shprehur zhgënjim për mënyrën se si është trajtuar rasti, duke thënë se kanë humbur besimin në drejtësi.
Familja e viktimës pretendon se hetimet nuk janë kryer siç duhet dhe se aktakuza është skandaloze. Prokuroria, sipas tyre, nuk ka trajtuar një nga provat më të rëndësishme- video-incizimin e publikuar nga tani i akuzuari Andi Pajaziti para vrasjes, ku shihet me armë i përgatitur për të shkuar në lokal.
Sipas tyre, ekspertiza mjekësore konstatoi se vepra është kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore, duke u bazuar vetëm nga biseda me të akuzuarin, që ngjall dyshimet se hetimet e Prokurorisë nuk kanë qenë objektive.
Në letër, po ashtu pretendohet se gjykatësi Gashi ka mbajtur anën e palës së akuzuar. Avokati i palës së dëmtuar, thuhet se është ndërprerë në vazhdimësi kur fliste, e që e njëjta sipas tyre nuk ndodhi me palën tjetër. Madje, në një rast, thonë se gjykatësi kishte dalë jashtë kontrollit derisa përfaqësuesi i tyre po i parashtronte pyetje ekspertit.
Bazuar në të lartpërmendurat, familja e viktimës njoftojnë se nuk do të marrin pjesë më në këtë gjykim dhe se nuk do t’i përfaqësojë askush./betimiperdrejtesi/