Hulumtuesi i Lartë në IKD, tha se përgjegjës për moszbatimin e një aktgjykimi të tillë është edhe Kuvendi dhe Kryetari i saj, andaj sipas tij ai duhet të thërrasë në takim Kryetarin e Komisionit Funksional ku ai ligj shqyrtohet.“Ne kërkojmë nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës që të thërrasë në takim Kryetarin e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, z. Valon Ramadani. Kryetari i këtij komisioni, në bazë të kompetencave të tij ligjore dhe funksionale, ka përgjegjësinë që të nisë urgjentisht hartimin e projektligjit të ndryshuar për pagat në sektorin publik. Kjo kërkesë është në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka urdhëruar Kuvendin të miratojë ndryshimet e nevojshme në Ligjin për Pagat”, tha Jakaj.
Sipas tij, një kompetencë të tillë Kryetarit të Kuvendit ia jep Rregullorja e Kuvendit si dhe detyrimi për ta zbatuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Rregullorja e Kuvendit, në nenin 16, përcakton funksionet e Kryetarit të Kuvendit, i cili ka detyrën për të siguruar zhvillimin e punës parlamentare. Për më tepër, neni 33 i Rregullores përshkruan përgjegjësitë e kryetarit të komisionit për të propozuar planet e punës dhe për të organizuar punën e komisionit në përputhje me kalendarin e Kuvendit. Në këtë kontekst, është përgjegjësia e Kryetarit të Komisionit për Administratë Publike që të ndërmarrë hapa konkretë për zbatimin e këtij vendimi të rëndësishëm të Gjykatës Kushtetuese”, shtoi ai.
Ndryshe, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) me përkrahjen e National Endoëment for Democracy (NED) të premten mbajtën konferencën e përbashkët me Federatën e Shëndetësisë dhe Sindikatën e Administratës Publike ku diskutuan mbi moszbatimin me kohë të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.