Sporti

Huliganizmi në basketboll, reagon ashpër zëvendës ministrja Osmani: Nesër mblidhet Këshilli për parandalimin e dhunës

12/11/2022 20:35
nga:Lorik J

Zëvendësministrja e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani ka reaguar pas incidenteve të mëdha në ndeshjen e sotme finale të Superkupës së Kosovës në basketboll mes Prishtinës dhe Trepçës.

“Plisat” dhe “Torcida” janë përleshur sot në sallë, me ç’rast reagoi Policia e Kosovës duke i larguar nga tribuna. Në fund, KB Prishtina fitoi me rezultatin 74-53 për të fituar Superkupën e Kosovës, shkruan GazetaBlic Sport.

Por jo në lidhje me lojën, por me skenat reagoi Osmani e cila tha se nesër në orën 10:00 do të mblidhet Këshilli për parandalimin e dhunës dhe dukurive tjera negative në sport për raportim mbi mbarëvajtjen e lojës para, gjatë dhe pas ndeshjes.

Ja reagimi i Daulina Osmanit:

“Përleshjet, rrahjet dhe vandalizmi nuk kanë vend në sport.

Humbja në sport është një gjë, ndërsa turpi është një gjë tjetër. Sjelljet e tifozëve që pam sonte dhe në disa ndeshje të basketbollit vendor janë të turpshme.
Përderisa shohim policë të lënduar në veri të Kosovës, shohim edhe policë të lënduar gjatë detyrës së tyre për të ofruar siguri në një ndeshje të basketbollit.
Palestrat sportive janë shndërruar në fushëbeteja të tifozëve, prezenca e të cilëve nuk po mundëson as zhvillimin e lojës, ndërsa qytetarët e tjerë pjesëmarrës po i ekspozon ndaj rrezikut të dhunës dhe agresionit para, gjatë dhe pas ndeshjeve.

Nuk duhet të lejojmë që tifozëria lokale për ekipet e zemrës të shndërrohet në huliganizëm. Nuk është huliganizmi ajo që përfaqëson dhe reprezenton punën e komunitetit sportiv dhe krenarinë që sporti i sjell çdo qytetari.

Përkundër të gjithë angazhimit të FBK dhe Policisë së Kosovës për zhvillimin e ndeshjes në ambient të sigurt asgjë nuk ishte e mjaftueshme për të ndalur sjelljet e dhunshme të tifozëve.

Nesër në orën 10:00 mblidhet Këshilli për parandalimin e dhunës dhe dukurive tjera negative në sport për raportim mbi mbarëvajtjen e lojës para, gjatë dhe pas ndeshjes.

Kërkoj nga të gjitha palët të ndërmarrin të gjitha masat për identifikimin dhe denimin e atyre që ushtruan dhunë dhe që shkaktuan dëme në Palestrën e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, ndërsa të lënduarve u uroj shërim të shpejt”, shkruan Osmani në rrjetin social, Facebook.

/GazetaBlic Sport