Lajme

Hoxhaj: Takimi Kurti-Vuçiq dështim i madh

06/16/2021 19:06
nga:Q R

Ushtrues i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë se takimi i kryeministrit të Kosovës Albin Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq ishte një dështim i madh i llojit të vet, pa platformë, pa vizion, pa strategji.

Hoxhaj në një intervistë në emisionin “Përballje” në Telegrafi.com, me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu, ka folur edhe për 100-ditëshin e Qeverisë Kurti, vendimin e presidentes Vjosa Osmani për shkarkimin e Valdete Dakës nga KQZ si dhe për zgjedhjet në PDK-së dhe zgjedhjet lokale.

“Takimi i djeshëm nuk ka qenë asgjë tjetër veçse tubim elektoral, e jo përfaqësim shtetëror”, tha Hoxhaj.

Sipas Hoxhajt “Takimi ka qenë një dështim i llojit të vet, një performancë elektorale në stilin e tij populist, dhe nuk i shërben interesave të Kosovës. Unë mendoj që dje ka qenë një dështim i madh”.

Ai u shpreh se qytetarët duhet ta kuptojnë që në një kontekst më afatgjatë, sipas tij me qëndrimin e mbajtur në këtë takim, Kurti e ka betonuar konfliktin e ngrirë.

“Unë mendoj se me qasjen e djeshme është betonuar konflikti i ngrirë, statusquo-ja dhe kjo nuk është në interes të Kosovës dhe qytetarët e Kosovës duhet ta kuptojnë se kjo i dëmton interesat strategjike të tyre”, u theksoi Hoxhaj.

Sipas tij, dje Kurti është prezantuar pa vizion, pa strategji e pa platformë.

“Ato katër pikat e tij janë një radhitje e çoroditur e pritjeve të Kosovës, janë probleme reale të Kosovës. Por, mendoj që njohja e ndërsjellët, anëtarësimi i Kosovës në OKB është pikënisja dhe pikëmbarimi e cila i zgjedh të gjitha problemet e tjera dhe unë kam prit që në një takim të tillë, z.Kurti të shkon i përgatitur politikisht, përmbajtësish dhe në rrafshin diplomatik, asnjëra nga këto nuk ka ndodh”, u shpreh Hoxhaj.

Hoxhaj i PDK-së, u shpreh se pika e parë e propozuar nga Kurti në Bruksel është hajgare.

“Për shembull pika e parë, ajo është hajgare. Ka mund të merret edhe farë amandamenti të marrëveshjes së Kiotos. Mendoj se këto janë aranzhime që tejkalojnë kapacitetet e Kosovës”, u shpreh Hoxhaj.

Ai u shpreh se Kurti dhe Qeveria e Kosovës qëllimshëm janë duke e humbur këtë momentum diplomatik dhe sipas tij procesi i dialogut është rikthyer prapa në vitin 2011.

“Unë kam frikë që këtë momentum ideal diplomatik që ka Kosova në vitin 2021, zotëri Kurti dhe qeveria e tij qëllimshëm, për arsye elektorale të zgjedhjeve komunale dhe për arsye komunistë, Kosova këtë momentum është duke e humbë. Këtë nuk po e them vetëm si kryetar i PDK-së, por edhe si një njeri i cili e njeh politikën e jashtme. E ka rikthyer dialogun në vitin 2011”, u shpreh Hoxhaj.

Sa i përket çështjes së të pagjeturve, Hoxhaj theksoi se kjo është një temë e cila është mbyllur në vitin 2020, kur ka qenë kryeministër, Avdullah Hoti.

“Unë me sa e di, çështja e të pagjeturve si temë është pothuajse e mbyllur, e ka mbyllur kryeministri Hoti. Diplomatët të cilët e kanë vizituar Kosovën, ma kanë thënë në mënyrë të qartë se çështja e të pagjeturve është mbyllur në vitin 2020”, theksoi Hoxhaj.

Hoxhaj tha se “ftojmë Kurtin të jetë serioz në një temë të tillë, meqë interesi i Kosovës kërkon që interesi i Kosovës rezon shtetëror”, theksoi ai.

“Ku ka rezon shtetëror në takimin në Bruksel. Katër pika, pa plaatformë, pa vizion, pa strategji, nuk e dinë as anëtarët e Qeverisë se çka ka biseduara z.Kurti në këtë takim, nuk e dinë as deputetët e as opozita”, tha Hoxhaj.

LEXO EDHE:

Buxhovi: Partitë opozitare e kanë humbur kredibilitetin të diskutojnë për dialog, ato e kanë sjellë Kosovën në këtë gjendje