Lajme

Hoxhaj në Konferencën e Sigurisë me shumë takime se Kurti e Gërvalla

02/16/2024 22:51
nga:Sh R

Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, z.Enver Hoxhaj, ka postuar në llogarinë e tij në Facebook një sërë takimesh me personalitete të njohura botërore, të cilat po marrin pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih.

Në këtë konferencë po merr pjesë edhe kryeministri Kurti dhe ministrja e Jashtme, znj. Gërvalla, por si duket ata nuk kanë realizuar asnjë takim deri tash.

Z. Hoxhaj ka postuar fotografi gjatë takimit me ish-Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, John Kerry.

“Takim me mikun e Kosovës dhe me mikun tim të veçantë, John Kerry, ish-Sekretar i Shtetit amerikan”, ka shkruar Hoxhaj, duke e falënderuar SHBA-në për mbështetjen, tashmë kur ndodhemi në prag të kremtimit të 16-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Ai ka postuar fotografi të takimeve edhe me ish-kryeministrin e Suedisë, Carl Bildt, ish-presidentin estonez, Toomas Hendrik Ilves, ish-kancelarin austriak, mikun e tij, Sebastian Kurtz, dhe personalitete të tjera të njohura.

Ndërkaq, siç duket, Kurti e Gërvallën nuk i ka takuar deri më tash askush.

Konferenca e Sigurisë në Mynih, e cila filloi sot dhe zgjat deri më 18 shkurt, është konferenca e 60-të me radhë dhe një pikë e njohur takimi i politikanëve të nivelit të lartë, ushtarakëve dhe ekspertëve të Sigurisë nga mbarë bota.