Lajme

Hoxhaj: Iluzioni se anëtarësimi i Kosovës në OKB s’ka rëndësi – është i rrezikshëm

12/05/2021 17:05
nga:Gazeta Blic

Ish-ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë se Qeveria e Kosovës ka krijuar një iluzion se anëtarësimi i Kosovës në OKB nuk është çështje e rëndësishme, dhe kjo sipas Hoxhajt është e rrezikshme.

Në një intervistë për një televizion shqiptar, Hoxhaj ka thënë se nëse stërzgjatet anëtarësimi i Kosovës në OKB në pafundësi, atëherë kjo do të jetë më e vështirë e arritshme në vitet 2025 e 2030.

Ai, tutje tha se për Qeverinë aktuale të Kosovës kjo nuk duket që është prioritet, prandaj, kur shkojnë në Bruksel, siç u shpreh ai, shpikin tema të reja dhe nuk e ndjekin interesin e Kosovës.

“Qeveria dhe z. Kurti nuk i besojnë një procesi të tillë, nuk i kanë besuar asnjëherë dhe në një plan afatgjatë kjo do ta dëmtojë Kosovën meqë për Kosovën do të ishte një situatë e favorshme ndërkombëtare përderisa Joe Biden është në Shtëpinë e Bardhë dhe përderisa shumë liderë dhe elita politike janë ata të cilët identifikohen me me pavarësimin e Kosovës, që ne ta përdorim këtë situatë duke e përmbyllur shtet ndërtimin e Kosovës duke e anëtarësuar Kosovën në OKB. Duket që Qeveria e Kosovës ka kriju një iluzion kjo nuk është çështje e rëndësishme, dhe habitem me opinionin publik në Kosovë se mos anëtarësimi i Kosovës në OKB nuk shihet si ndonjë problem serioz, si është parë para 3-4 vitesh. Kam frikë që nëse kjo çështje stërzgjatet në pafundësi do të jetë më e vështirë që të arrihet në vitin 2025 e në vitin 2030. Unë jam ithtar i asaj që ne duhet ta përdorim këtë situatë gjeopolitike kur edhe më tutje Perëndimi është i interesuar në raport me Kosovën, për t’i përmbyllur punët tona që nuk kanë arritur të kryhen deri tani. Por, për Qeverinë aktuale kjo nuk duket që është prioritet, prandaj kur shkojnë në Bruksel shpikin tema të reja dhe nuk e ndjekin interesin e Kosovës. Për Kosovën është jetike përmbyllja e shtetndërtimit dhe anëtarësimi i Kosovës në OKB kushdo që beson që shteti i Kosovës duhet të ekzistojë”, ka thënë tutje Hoxhaj, për Televizionin MCN.