Lajme

Hoxhaj: Albin Kurti nuk mund të mbijetojë politikisht pa HashimThaçin

05/20/2021 20:11
nga:Q R

Kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj, i ka reaguar kryeministrit Albin Kurti, pasi tha se e ka çuar në Prokurori marrëveshjen me NATO, rreth mosfutjes së FSK-së në veri, duke thënë se ai nuk mund të mbijetoj politikisht pa Hashim Thaçin, përcjell Gazeta Blic.

Hoxhaj, përmes një postimi në Facebook, tha se Kurti tërë karrierën e tij politike e ka orientuar në përmbajtjen e figurës së tij, dhe kurrë nuk ia ka arritur.

Sipas Hoxhajt, edhe pse Thaçi nuk është këtu Kurti prapë po merret me emrin e tij.

‘’ Zotimet e kryeministrit Thaçi me NATO-n kanë qenë dhe mbeten legjitime dhe faktikisht po zbatohen edhe nga kjo Qeveri, sikur të gjitha ato paraprake. Përndryshe, ky kryeministër do të duhej ta dëshmonte të kundërtën duke ndërmarrë hapa konkret për anulimin e saj’’, shkruan Hoxhaj.

Tutje ai shkroi se kjo qasje e tregon inferioritetin e tij patriotik e politik, dhe mungesën e vizionit vetëqeverisës.

Ky është postimi i plotë:

‘Albin Kurti nuk mund të mbijetojë politikisht pa Hashim Thaçin. Tërë karrierën e tij politike e ka orientuar në përbaltjen e figurës së tij dhe kurrë nuk ia ka arritur. Edhe tani që presidentin Thaçi nuk e kemi këtu, Kurti prapë po vazhdon të merret me emrin e tij.

Zotimet e kryeministrit Thaçi me NATO-n kanë qenë dhe mbeten legjitime dhe faktikisht po zbatohen edhe nga kjo Qeveri, sikur të gjitha ato paraprake. Përndryshe, ky kryeministër do të duhej ta dëshmonte të kundërtën duke ndërmarrë hapa konkret për anulimin e saj.

Më shumë sesa për presidentin Thaçi dhe zotimet në esencë, kjo qasje e tregon për inferioritetin e tij patriotik e politik dhe mungesën e vizionit qeverisës. Por, nëse dëshiron të flasim me fakte, qe një: Albin, ti je kryeministri i vetëm në Evropë pa asnjë kontratë për vaksina’.